Investimet e huaja direkte/ Energjetika, 28 % të totalit

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Në 3-mujorin e parë të këtij viti, investimet në energjetikë, kryesuan në totalin e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas BSH-së, investimet në këtë sektor, sollën pjesën më të madhe të investimeve, me 28 % të totalit.

Ndërkohë fitimet e riinvestuara përbënë rreth 44 % të Investimeve të Huaja Direkte, në 3- mujorin e parë të këtij viti, bërë të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas BSH-së, riinvestimi i fitimeve është karakteristik në degë ku kërkohen investime të konsiderueshme periodike, si në industrinë nxjerrëse, por edhe në disa sektorë të shërbimeve, sidomos në atë financiar, ku rritja e bankave kërkon edhe mbështetje me kapital të mjaftueshëm për të mbuluar asetet financiare me rrezik.

Investimet e huaja në sektorët e “Energjisë elektrike, gazit dhe furnizimit me ujë”, kryesojnë me 260 milionë euro, në totalin e prurjeve për vitin 2020, bëri të ditur sot Banka e Shqipërisë.

Sipas të dhënave zyrtare, investimet e huaja në Shqipëri prekën shifrën e 933 milionë eurove në fund të vitit të kaluar, duke shënuar një rënie me 13 %, në krahasim me një vit më parë, për shkak të situatës që krijoi pandemia COVID-19. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.