Ekonomi në Bankën e Resurseve Gjenetike Bimore: Eksporti na udhëheq


TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi theksoi sot rëndësinë që ka ruajtja e resurseve gjenetike bimore në bujqësinë shqiptare dhe përdorimi i tyre i qëndrueshëm në përfitim të shoqërisë njerëzore dhe mjedisit në të tashmen dhe të ardhmen.

Ministrja Ekonomi e zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote vizituan Bankën e Resurseve Gjenetike të Tiranës.

“Drejtori i Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve (IRGJB) prof. dr. Fetah Elezi dhe kërkuesit e Institutit na informuan mbi punën që bëhet lidhur me ruajtjen dhe përdorimin e resurseve gjenetike të bimëve në vendin tonë”, tha Ekonomi.

Pa dyshim, theksoi ajo, “që këto varietete janë një nxitës i mirë në zhvillimin e agroturizmit në vend”.

Ekonomi vlerësoi se “kjo është një qendër shumë e mirë dhe është e nevojshme që banka gjenetike të shkojë te fermeri”.

“Ne në Ministrinë e Bujqësisë interesohemi për bujqësinë si sektor ekonomik, ndaj interesohemi për gjëra që rrisin zhvillimin ekonomik, që rrisin shumë eksportet, që rrisin shumë sipërfaqen me serra që nuk janë të dëmshme kur ne marrim certifikata për të shkuar në eksport”, tha ajo.

Pra, vijoi Ekonomi, “eksporti është ai që na udhëheq. Natyrisht që na duhen varietete që janë me rendiment të lartë, por na duhen edhe produkte plehruese specifike”.

Ekonomi shtoi se “qeveria edhe në këtë mandat është e angazhuar shumë që agroturizmi të zhvillohet në Shqipëri, duke e konsideruar si një model zhvillimi, sidomos për fermerët e vegjël”.

“Ne kemi edhe angazhime lidhur me kërkimin shkencor dhe duhet të bashkojmë fort mundësitë që ka kjo qendër me bashkëpunimin që kërkon Universiteti Bujqësor. Ne mund t’ja dalim që të ndihmojmë fermerin shqiptar”, shtoi ministrja. /m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.