Denaj përmbyll takimet me misionin e FMN-së: Vit i rimëkëmbjes dhe vaksinimit

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Denaj, sot kreu takimin (virtual) përmbyllës me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga  Yan Sun.

Ky mision filloi në datë 7 qershor dhe përfundoi ditën e sotme. Gjatë misionit u diskutuan çështje të rëndësishme të financave publike dhe ekonomisë së vendit.

Ekipi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë diskutoi me Fondin Monetar Ndërkombëtar procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare.

“Ecuria tërësore e financave publike ka vijuar të qëndrojë brenda parashikimeve të bëra nga qeveria shqiptare për këtë vit, si një vit i rimëkëmbjes dhe vaksinimit”, theksoi Denaj, gjatë takimit.

Një vëmendje të veçantë në këtë takim mori diskutimi mbi zhvillimet makroekonomike dhe fiskale, financat publike, kryesisht mbi pritshmëritë fiskale, mbi realizimin e parametrave buxhetore të këtij viti dhe pritshmëritë për elementët kryesorë të buxhetit të periudhës afatmesme.

Pas tremujorit të fundit të vitit 2020, ku rritja ekonomike u rikthye në trendin pozitiv, gjatë vitit 2021 ekonomia vlerësohet të ketë ecur në linjë me parashikimet fillestare, me një rritje vjetore prej rreth 5.5 %. Statistikat e ekonomisë tregojnë për një trend të qartë, të fortë rritës të besimit dhe perceptimit të agjentëve ekonomikë për ecurinë e aktivitetit ekonomik si dhe pritshmëritë e tyre në të ardhmen e afërt. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ruan një parashikim të përafërt në rreth 5.3 % të rritjes.

Të dyja palët vlerësuan pozitivisht ecurinë e politikës fiskale dhe masat e ndërmarra në formë të qëndrueshme.

Një indikator tjetër, që sinjalizon një performancë të mirë të ekonomisë, është edhe ecuria e të ardhurave tatimore. Keto të ardhura gjatë 5-mujorit të parë të vitit kanë qenë rreth 20 % më shumë se sa një vit më parë, dhe madje dhe rreth 2.5 % mbi planin e periudhës. Edhe në periudhën afatmesme, qeveria shqiptare parashikon një rritje të qëndrueshme, në përputhje edhe me kuadrin makroekonomik dhe fiskal.

Në të njëjtën kohë, tregtia me jashtë ka pasur rritje të fortë, duke qënë se eksportet e mallrave ashtu edhe importet kanë shënuar një rritje gjatë këtyre muajve. Përkatësisht eksportet janë rritur me rreth 35 %, ndërsa importet me rreth 30 % dhe rritja vihet re pak a shumë në të gjitha kategoritë kryesore të mallrave.

Diskutimet gjatë këtij takimi u fokusuan gjithashtu mbi disa nga prioritetet e qeverisjes si Strategjia Afatmesme e të Ardhurave, Fiskalizimi, mbështetjen për sipërmarrjen në mënyrë strategjike dhe afatmesme, zbatimi i buxhetit të shtetit, përpjekjet për rritjen e aftësive monitoruese të risqeve fiskale dhe menaxhimin në rritje të garancive qeveritare në kuadër të mbështetjes për sektorin privat.

Qeveria shqiptare ka përmirësuar procedurat e rimbursimit të TVSH-së, ku edhe gjatë vitit të pandemisë janë rimbursuar rreth 16.5 miliardë lekë. Angazhimi i qeverisë është që procesi i rimbursimit të TVSH-së të jetë automatik prej vitit 2023

Në fjalën e saj, Denaj u ndal edhe në prezantimin e Strategjisë për Zhvillimin e Biznesit dhe të Investimeve, e cila është aktualisht në procesin e konsultimit publik, dhe përbën një pasqyrë të qasjeve të reja për zhvillimin e ekonomisë shqiptare pas pandemisë, veçanërisht të një serë sektorësh që kanë vëmendje të veçantë.

Së fundmi, ministrja Denaj dhe Misioni i FMN-së, kryesuar nga Yan Sun, shprehën falenderimet e ndërsjellta për bashkëpunimin e ngushtë të deritanishëm.

FMN: Aktiviteti ekonomik i Shqipërisë në vitin 2020 u tkurr shumë më pak sesa pritej fillimisht

FMN theksoi në një njoftim për mediet pas takmit, se “aktiviteti ekonomik i Shqipërisë në vitin 2020 u tkurr shumë më pak sesa pritej fillimisht, duke reflektuar turizmin e rritur vendas dhe rajonal, mbështetjen e politikave dhe rindërtimin nga tërmeti, si dhe mungesën e një mbyllje të dytë. Në vitin 2021 rritja parashikohet të rikthehet në 5.3 përqind si rezultat i rimëkëmbjes së sektorëve të prekur nga pandemia si dhe vijimi të aktivitetit të rindërtimit pas tërmetit. Sidoqoftë, pasiguria mbi perspektivën e rritjes mbetet e konsiderueshme. Inflacioni është rritur nga çmimet më të larta ndërkombëtare të mallrave të bursës, por është ende shumë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë (BSH) dhe presionet inflacioniste kanë mbetur të ulëta”.

Sipas FMN-së, “në periudhën afatshkurtër, politika fiskale duhet të vazhdojë të mbështesë rimëkëmbjen përmes masave të përkohshme dhe të mirë-shënjestruara, që duhet t’i nënshtrohen transparencës dhe përgjegjshmërisë. Do të ishte e këshillueshme që të moderoheshin investimet publike tepër ambicioze të financuara me burime të brendshme për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor (sidomos vaksinimin), dhe rindërtimin nga tërmeti si dhe për të rritur kontigjencën”.

“Në këtë kontekst, objektivi i vitit 2021 për një deficit primar prej 65 miliardë lekësh (rreth 3.8 përqind e PBB-së) është i mjaftueshëm për të siguruar mbështetje për ekonominë. Një stimul shtesë duhet të merret parasysh vetëm në rast se rimëkëmbja e pritshme nuk materializohet. Nëse do të ketë të ardhura shtesë, ato duhet të kursehen. Për të ndihmuar rindërtimin e hapësirës së nevojshme të politikës fiskale sapo rimëkëmbja të jetë në një rrugë të mbarë, inisiativat e planifikuara nga autoritetet 2 shqiptare duhet të jenë në përputhje me objektivin e arritjes së një ekuilibri primar fiskal pozitiv deri në vitin 2023 dhe të mbështeten nga një kuadër i besueshëm buxhetor afatmesëm”- thekson në njoftim për shtyp FMN.

Gjithashtu vijon njoftimi, “një strategji e shëndoshë afatmesme për të Ardhurat duhet të miratohet dhe zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ecja përpara me këtë reformë të kahershme duhet të ndihmojë gjithashtu në krijimin e burimeve të nevojshme për të arritur objektivat e zhvillimit të Shqipërisë. Reforma të tjera prioritare që duhet të ndiqen me më shumë këmbëngulje përfshijnë përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike dhe rritjen e monitorimit dhe menaxhimit të rreziqeve fiskale në rritje, veçanërisht nga partneriteti privat publik, ndërmarrjet shtetërore dhe garancitë qeveritare. Së fundmi, ndonëse e justifikueshme menjëherë pas tërmetit, përdorimi i procedurave të kufizuara në tenderat për rindërtim duhet të ndërpriten dhe fondet e rindërtimit duhet t’i nënshtrohen kontrolleve adekuate të menaxhimit të financave publike”.

“Ne mbështesim qëndrimin e politikës monetare lehtësuese të BSH, pasi presionet inflacioniste mbeten të dobëta dhe pritjet për inflacionin të mireankoruara. Sistemi bankar mbetet likuid dhe i qëndrueshëm. Vigjilenca e vazhdueshme, me një vëmendje të veçantë për kreditë e ristrukturuara, do të jetë kyçi për zbulimin e hershëm të ndonjë pike të dobët. Vendimi i BSH për t’i dhënë fund relaksimit të përkohshëm të klasifikimit të kredive dhe rregullave të provigjionimit është i mirëpritur. Për të ruajtur mirëkapitalizimin e bankave derisa të dihet ndikimi i plotë i pandemisë në cilësinë e aktiveve të tyre, BSH duhet të vazhdojë të kufizojë shpërndarjen e dividendëve. “Ne dëshirojmë të falënderojmë autoritetet shqiptare dhe homologët tanë të tjerë për diskutimet dhe bashkëpunimin e shkëlqyer”- thekson FMN.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.