COVID-19 – Italia 40 milionë doza të vaksinës të administruara

ROMË, 11 qershor /ATSH-AFP/ – Italia ka administruar 40,5 milionë doza të vaksinës antiCOVID-19 dhe 25,17% e popullsisë mbi 12 vjeç është tashmë e vaksinuar, sipas një bilanci zyrtar publikuar sot.

Publikimi i këtyre shifrave ndodh në kuadër të një rënieje të vazhdueshme të pandemisë. Dje gadishulli regjistroi 2 079 raste të reja.

Sipas një studimi të fondacionit Gimbe, i specializuar për çështjet e shëndetit publik, shtrimet në spital si pasojë e COVID-19 kanë rënë me 84% që prej fillimit të prillit.

Përballë këtij përmirësimi të situatës, qeveria ka hequr gradualisht kufizimet antiCOVID-19.

Fillimi i kufizimit është shtyrë që prej të hënës nga ora 23:00 në mesnatë. Ai do të hiqet plotësisht më 21 qershor.

Baret dhe restorantet mund të presin sërish klientë në ambientet e brendshme që prej 1 qershorit.

Italia, vendi i parë europian i goditur rëndë nga pandemia, ka regjistruar një vdekshmëri rekord në 2020. 100 000 të vdekur më shumë në raport me mesataren e pesë viteve të mëparshme, që korrespondon me një rritje prej 9%, sipas një raporti nga Instituti Kombëtar i Statistikave (Istat).

Që prej fillimit të pandemisë, Italia ka regjistruar zyrtarisht 4,23 milionë raste, 126 523 prej të cilëve të vdekur./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.