Vaksinimi masiv antikovid/ 823 053 vaksinime që nga nisja e fushatës “Shqipëria buzëqesh”

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria Buzëqesh” janë kryer 823.053 vaksinime antikovid në vend.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu e cila publikoi shifrat e vaksinimit në total dhe ditën e sotme.

Manastirliu bëri me dije se ditën e sotme janë kryer 6, 497 vaksinime kundër koronavirusit.

“Mbi 40,000 arsimtarë janë vaksinuar, nga të cilët 11 mijë tashmë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës anticovid. Me 823,053 vaksinime të kryera deri tani në të gjithë vendin, vijojmë pa u ndalur drejt objektivit 1 milion vaksinime brenda qershorit”, u shpreh Manastirliu.

Deri tani në Shqipëri kanë mbërritur 899,550 vaksina antikovid. Vaksinimi po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.

Mbrëmjen e së hënës mbërritën në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas 11,700 vaksina Pfizer.

Procesi i vaksinimit masiv po vijon në të gjithë vendin me kalendar të kombinuar, për qytetarët +60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Vaksinimi po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.