Titulli “Mjeshtër i Madh” për artistin e instrumenteve muzikore dhe stilistin Bujar Kardashi

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Artizanatit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” artistin e spikatur të prodhimit të instrumenteve muzikore dhe stilistin, Bujar Kardashi, me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së tij të spikatur në fushën e artizanatit, nëpërmjet ngritjes së repartit të prodhimit të violinave në Shqipëri, si dhe me realizimin e një kolane të instrumenteve të harkut në vendin tonë, pjesë e fondit të Kulturës Kombëtare shqiptare. Me mirënjohje për kontributet thelbësore në zhvillimin e artit dhe kulturës kombëtare si dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore me punën e tij të palodhur si artist dhe si stilist.”

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se, “vlerësimi i Bujar Kardashit në Ditën e Artizanatit merr kuptim të plotë për arsye të kontributit të tij thelbësor dhe të drejtpërdrejtë për artin dhe artizanatin. Kardashi është një artist unik dhe shumëdimensional. I diplomuar për pikturë dhe njëkohësisht i specializuar si restaurator i instrumenteve muzikore”.

“Instrumentet popullore si lahuta, çiftelia, mandolina apo kitara, të projektuara dhe realizuara nga Kardashi janë shpërndarë anembanë botës, duke shpërndarë kështu edhe kulturën tonë kombëtare”, u shpreh Meta.

“Eksperiencën e tij të madhe, Kardashi ua transmetoi edhe brezave të rinj, duke përgatitur me dhjetëra artizanë, të cilët kanë sukses brenda dhe jashtë vendit”, tha Meta.

Në kopshtin e Presidencës, Meta dhe pjesëmarrësit në veprimtarinë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Artizanatit vizituan ekspozitën me punimet dhe krijimet artistike të Bujar Kardashit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.