Të përfituara nga veprimtari kriminale, sekuestrohen 3 milionë euro pasuri

TIRANË, 10 qershor /ATSH – I. Vata/ Policia ka sekuestruar pasuri që kapin vlerën rreth 3 milionë euro, në pronësi të dy vëllezërve banues në Durrës dhe të një shtetasi tjetër që rrjedhin nga veprimtaria kriminale në fushën e pastrimit të parave.

Finalizimi i hetimeve 3-vjeçare në ngarkim të dy vëllezërve dhe të një shtetasi tjetër, me të cilin dy vëllezërit kanë lidhje shoqërore erdhi si bashkëpunim i Njësisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

“Si rezultat i hetimeve të kryera dhe provave të grumbulluara, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi sekuestron preventive për pronat e shtetasve Gëzim Sallaku, S. S. dhe R. K., banues në Durrës, prona të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale e shtetasit Gëzim Sallaku, të cilat janë të regjistruara edhe në emër të shtetasve S. S. dhe R. K., konkretisht: Sekuestro 100 % të aksioneve të shoqërisë “GSA Sallaku” sh.p.k, me aktivitet “Import, eksport, tregti autoveturash, kamionësh etj.”, me seli në Durrës, me ortak të vetëm dhe administrator shtetasin Gëzim Sallaku; 2 apartamente, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku; 20.600 m2 sipërfaqe toke arë, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku; 1000 m2 sipërfaqe toke truall, mbi të cilën janë ndërtuar 2 banesa me sipërfaqe 140 m2 secila, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku; Një godinë banimi dykatëshe dhe 2 apartamente banimi, në Durrës, në pronësi të shtetasit R. K.; 13 automjete të markave të ndryshme në pronësi të shoqërisë tregtare “GSA Sallaku”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Vazhdon puna nga Njësia e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, për identifikimin e pasurive të tjera të këtyre personave dhe lidhjeve të tyre familjare dhe shoqërore.

Shtetasi Gëzim Sallaku ka kryer veprimtari kriminale dhe është dënuar në shtetin italian nga viti 1999-2008.

Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2018, nisur nga disa transferta të dyshimta bankare të shtetasve të sipërpërmendur, ka filluar hetimin për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Materialet për ekzekutimin e Vendimit të Gjykatës iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.