Shtohet besimi tek ekonomia/ Biznesi dhe konsumatorët optimist për tregtinë dhe shërbimet

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Heqja e shumicës së kufizimeve dhe pritshmëritë e larta nga sezoni turistik kanë rritur optimizmin e biznesit dhe konsumatorëve për një ecuri më pozitive në zhvillim në sektorin e tregtisë dhe të shërbimeve.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në muajin maj, treguesi i besimit në ekonomi, reflektoi më së shumti rritjen më të fortë të besimit në sektorët e shërbimeve dhe të tregtisë.
Bizneset janë më optimiste lidhur me ecurinë e sipërmarrjes dhe rritjen e kërkesës në sektorin e shërbimeve
Sipas BSH-së, besimi në tregti regjistroi rritje të fortë në muajin maj me 8.8 %, i ndikuar kryesisht nga vlerësime pozitive të bizneseve për ecurinë e shitjeve.

Pritjet e tyre për punësimin në të ardhmen janë më optimiste në këtë muaj.

Gjithashtu, bizneset janë më optimistë lidhur me të ardhmen e ecurisë së biznesit dhe nivelin e porosive të reja, apo lidhjen e kontratave me partner vendas dhe të huaj.

Në kategorinë e shërbimeve përfshihen: shërbimet e mirëmbajtjes dhe riparimit; transporti; udhëtimi; ndërtimi; sigurimi dhe shërbime pensionale; shërbimet financiare; përdorimi i pronës intelektuale; shërbimet në telekomunikacion dhe informatikë; shërbime të tjera të biznesit; shërbimet argëtuese; shërbimet qeveritare; etj.

Sipas INSTAT, në fund të vitit 2020 në vendin tonë numëron 65 mijë ndërmarrje. 63 % e ndërmarrjeve në vend operojnë në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve.

Sektori me numrin më të madh të ndërmarrjeve është ai i tregtisë (40 %) i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera (23 %) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (16,7 %).

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.