“Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet për negociatat”/ Balla: E pranoi edhe Holanda, vendi më skeptik për zgjerimin

TIRANË, 10 qershor/ATSH-Maela Marini/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat për hapjen e negociatave”, ndërsa shtoi se “tashmë këtë e thonë edhe Vendet e Ulëta (Holanda)”.

I ftuar në një studio televizive, Balla tha se “Bashkimi Europian është bërë më aktiv në rajon”.

“Bashkimi Europian po përfshihet më shumë kohët e fundit në rajon, për shkak se vetë BE po e kupton se vendet e Ballkanit Perëndimor po humbin besimin në proces. Po marr Malin e Zi dhe Serbinë. Prej 3 vitesh në asnjërin prej vendeve nuk ka ndonjë përparim të dukshëm. Shqipëria tani ka përmbushur të gjitha detyrat. Unë nuk gjej arsye se pse para 1 viti Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë duhet të ishte pengesë për Maqedoninë e Veriut. Sot jemi në kushtet që Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet, se kur këtë e thonë Vendet e Ulëta ky është kapaku i fundit, sepse vendi që është më skeptik përkundrejt zgjerimit janë Vendet e Ulëta”, tha Balla.

Mendoj, vijoi ai se “ne jemi gati për ta filluar procesin e vështirë të negociimit”. “Negociatat janë stacioni i parafundit në rrugën drejt BE-së, i fundit është anëtarësimi në BE. Ka një besim në rritje në shumë prej kancelarive të rëndësishme europiane se kjo hapësirë e rrethuar nga të gjitha anët nga BE duhet të jetë pjesë e BE-së”, u shpreh Balla.

Duke folur për Shengenin Ballkanik, Balla tha se “historia e BE-së është histori suksesi për shkak të heqjes së barrierave ndërkufitare”.

“Nëse mund të bëja thjesht një parantezë lidhur me çështjen e Shengenit Ballkanik, besoj se është një arritje e rëndësishme e të gjitha vendeve. Kjo nisi si iniciativë trepalëshe për t’u kompletuar edhe me të tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të gjithë e dimë që është paradhoma e procesit tjetër, qoftë të integrimit, qoftë të anëtarësimit në atë që quhet marrëveshja e Shengenit. Sot kemi vende anëtare të BE sikurse janë Rumania dhe Bullgaria që ende nuk janë pjesë e Shengenit”, tha Balla.

Ai theksoi se “rruga për në BE është një rrugë e shkelur dhe ne thjesht duhet të ndjekim të njëjtat hapa që kanë ndjekur vendet e tjera edhe pse BE përkundrejt Ballkanit Perëndimor  nuk është treguar e ndershme”.

“Frika nga zgjerimi ka ardhur pasi Rumania dhe Bullgaria nuk ishin dy vende që ishin gati të anëtarësoheshin në 1 janar 2007. Kanë kaluar 14 vjet nga dita e anëtarësimit dhe sot ende BE vendos mekanizma monitorimi ndaj këtyre dy vendeve. Gabimet e përshpejtimit të procesit për këto dy vende u morën parasysh me një ulje të shpejtësisë së procesit të zgjerimit, ndaj çuarja para e Shengenit Ballkanik është një hap shumë i rëndësishëm. Ne na intereson që secili prej vendeve të vendosi asetet e veta turistike dhe ekonomike në funksion të një tregu më të madh”, tha ai.

Të mos harrojmë, vijoi Balla se, “bregdetin më të bukur nga vendet e Ballkanit Perëndimor e ka Shqipëria, ndaj vendi që do të përfitojë më shumë është Shqipëria, natyrshëm edhe  prodhuesit kosovarë përftojnë më shumë”.

Balla foli po ashtu edhe për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta nga Kuvendi, ndërsa theksoi se “Kuvendi ka prodhuar 2 dokumente, raportin dhe shkarkimin e Presidentit, të cilat do t’i shkojnë Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

“Raporti i shkon institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm sepse ligji thotë se kur vihen re elementë të veprës penale raporti i dërgohet Prokurorit të Përgjithshëm. Do të jetë në juridiksionin e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion. Aty ka elemente të veprës penale, sepse thirrjet e Metës nuk gjenden vetëm në kushtetutë si të paligjshme por edhe në Kodin Penal”, tha ai.

Askush të mos mendoj, vijoi Balla, se PS i ka hyrë këtij procesi për një axhendë të vetën të marrjes së presidencës nga një anëtar i saj. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.