Shqipëri-Maqedoni e Veriut, nisma konkrete në fushën e kulturës e trashëgimisë

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi sot një takim me ministren e Kulturës së Maqedonisë së Veriut, Irena Stefoska.

Margariti informoi se në takim u diskutua për të çuar përpara disa çështje me rëndësi, që lidhen me liqenin e Ohrit, luftën kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore dhe intensifikimin e aktiviteteve të përbashkëta.

“Është koha që marrëveshjet e nënshkruara në letër t’i shndërrojmë në nisma konkrete”, tha Margariti.

Prej vitit 2019, edhe pjesa shqiptare e rajonit të liqenit të Ohrit, është pjesë e listës së pasurive botërore të UNESCO-s.

Që nga viti 2014, Shqipëria ka qenë pjesë e një projekti të financuar nga BE me Maqedoninë e Veriut që ka për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ndërkufitar në kuadër të menaxhimit për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore në liqenin e Ohrit.

Dy ministret morën pjesë edhe në hapjen e qendrës kulturore të Maqedonisë së Veriut.

“Qendrat kulturore janë ura komunikimi e njohjeje. E tillë është edhe qendra kulturore e Maqedonisë së Veriut, që u hap sot në Tiranë. Së bashku me homologen Irena Stefoska biem në një mendje, që të kemi sa më shumë aktivitete të përbashkëta, që përcjellin, sidomos te brezi i ri dashurinë për vendin, për kulturën, tolerancën dhe respektin për tjetrin”, u shpreh Margariti.
Me Maqedoninë e Veriut kemi shumë gjëra që na bashkojnë, mes të cilave edhe aspirata për t’iu bashkuar familjes së madhe europiane. Dhe ne jemi tërësisht të ngazhuar për të qenë të denjë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian”, tha ajo.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.