Shqipëri-Çeki, bashkëpunim në fushën e sigurisë

TIRANË, 10 qershor /ATSH – I. Vata/ Presidenti i Policisë çeke gjeneral major Jan Švejdar, i shoqëruar nga drejtues të tjerë të lartë të policisë çeke, ka zhvilluar një vizitë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku është pritur nga drejtori i përgjithshëm Ardi Veliu dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Gjatë vizitës, presidenti i Policisë Çeke ishte i shoqëruar edhe nga ambasadori i Republikës së Çekisë në Shqipëri Jaroslav Ludva dhe Oficeri Ndërlidhës i Policisë Çeke Adriatik Shino.

Veliu dhe Švejdar kanë vlerësuar maksimalisht bashkëpunimin mes policive të dy vendeve dhe janë shprehur optimist që marrëveshja e bashkëpunimit për patrullimet e përbashkëta mes dy vendeve të vihet në zbatim sa më shpejt.

Veliu ka falënderuar ambasadorin dhe oficerin e kontaktit për kontributin në forcimin e bashkëpunimit mes dy policive.

“Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit dhe eksperiencave është shtrirë në disa fusha, qoftë mes drejtorive kundër narkotikëve, në fushën e sigurisë rrugore dhe në drejtime të tjera, por pavarësisht këtij niveli bashkëpunimi duhet të punojmë që ta forcojmë më tej. Një rast shumë i mirë bashkëpunimi është dakordësia dhe gatishmëria për nënshkrimin e marrëveshjes për patrullimet e përbashkëta gjatë sezonit turistik që nisëm që vitin e kaluar, por për shkak të pandemisë u pengua implementimi i saj. Shpresojmë që me përmirësimin e situatës kjo marrëveshje të jetëzohet. Ky është një rast i mirë që kolegët e të dy vendeve të shkëmbejnë eksperiencat dhe të mësojnë nga njëri-tjetri”, – tha Veliu.

Švejdar u shpreh se bashkëpunimi i deritanishëm mes policive të dy vendeve do të thellohet akoma më shumë në vijim. Ai nënvizoi se Policia çeke do vijojë t’i ofrojë Policisë shqiptare ndihmën dhe eksperiencën e tyre. Švejdar ka siguruar Veliun se punonjësit e Policisë çeke që do vijnë të patrullojnë në Shqipëri, do të jenë të pajisur me pajisjet me të mira që disponon Policia çeke.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.