Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor/ Rama publikon foton me Albin Kurtin

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një foto me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti gjatë Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Tiranë.

Në foton e publikuar në Instagram kryeministri Rama përqafon në mënyrë vëllazërore kryeministrin Kurti.

Kryeministri Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, pas Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, tha se, “të gjithë së bashku jemi mbledhur për të shtyrë përpara një proces që nuk ka rëndësi se si e quan njëri apo tjetri, po ka rëndësi që të çojë përpara jetësimin e 4 lirive të Europës në rajonin tonë”.

Ndërsa kryeministri Kurti tha sot për mediat se, “Kosova e Shqipëria nuk kanë nevojë për shumë mund që të jenë të koordinuara për shkak se nuk i kemi qëndrimet aq të ndryshme që të kemi nevojë të dialogojmë me njëra-tjetrën. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës nuk shoh të kenë dallime sa i përket politikës së jashtme”.

Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor zhvilloi sot punimet në Tiranë, me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor përkatësisht; Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, si dhe të Komisionerit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi.

Të pranishëm në këtë Samit ishin presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, drejtori i Sekretariatit të CEFTA, Emir Djikic, zëvendësdrejtori i Sekretariatit të Përhershëm të organizatës së Traktatit të Komunitetit të Transportit, Ljuba Siljanoska.

Gjatë Samitit Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan edhe një marrëveshje mbi ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.