Lehtësitë fiskale, zero tatimfitimi dhe mbështetja me grante, ndikim në rritjen e numrit të bizneseve

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Mbështetja e qeverisë ndaj sektorëve dhe aktiviteteve ekonomike, të prekura më rëndë nga pandemia përmes lehtësive fiskale, ashtu si dhe nisja e procesit të vaksinimit masiv të popullatës, ishin parakushtet që ekonomia shqiptare të niste rimëkëmbjen shumë më shpejt sesa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Për ekspertin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME), Daniel Guçe, viti 2020 ka qenë i vështirë për sipërmarrjet shqiptare, sidomos periudha e karantinës.

Sipas tij, kompanitë eksportuese, fasonët dhe mikrondërmarrjet kanë qenë kategoritë që kanë pasur më shumë vështirësi në përballimin e situatës.

“Pavarësisht vështirësive, viti kaluar, ka pasur dhe dinamikën e vet, pra janë krijuar ndërmarrje të reja “start up”, është shtuar shërbimi i deliverit online, etj., por ka pasur dhe kompani që kanë shkuar në faliment. Megjithatë bilanci për vitin 2020 është pozitiv për regjistrin e ndërmarrjeve shqiptare duke shënuar një rritje me 2,5 %, krahasuar me vitin paraardhës”, deklaron Guçe në një prononcim për ATSH-në.

Faktorët që kanë ndikuar në krijimin e ndërmarrjeve të reja gjatë vitit 2020, shprehet ai, janë të shumtë.

“Por unë do të veçoja masat e marra nga qeveria në mbështetje të biznesit, lehtësitë fiskale, zero tatimfitimi, mbështetja me grante, etj, kanë dhënë efekt në rikthimin në normalitet të situatës ekonomike dhe të të bërit biznes”, thekson Guçe.

Nevoja për vetëpunësim, vijon ai, është gjithashtu një faktor për të nisur një sipërmarrje. Ndërmarrjet mikro që zënë rreth 66% të totalit të SME-ve janë kryesisht aktivitete familjare, pra të vetëpunësuar.

E njëjta gjë vihet re për vitin 2020, ku rritja e numrit të ndërmarrjeve ka qenë kryesisht tek ato me aktivitet tregtar, pra aktivitete bar-kafe, restorante, shërbime që lidhen po me punësimin familjar.

“Në linjë me faktorët e mësipërm pra mbështetjen e qeverisë nëpërmjet lehtësirave fiskale, subvencionimit dhe granteve në sektorin e bujqësisë, por edhe nevojës për vetëpunësim, në kategorinë e fermerëve kemi një rritje me 9.3 % krahasuar me vitin 2019, pra në total, fermerë të pajisur me (NIPT) janë 49.053”, thotë Guçe.

Në perspektivën e një rritje ekonomike të shëndetshme, ai shprehet se duhet të kemi sipërmarrje më të konsoliduar, më inovative.

Sipas INSTAT, regjistri i ndërmarrjeve në fund të vitit 2020 numëron 166.386 ndërmarrje aktive, duke shënuar një rritje me 2,5 %, krahasuar me vitin paraardhës. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.