Porti i Durrësit/ Rritet numri i lundrimit të trageteve, 362 në janar-qershor 2021

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Transporti detar i udhëtarëve nga Porti i Durrësit drejt porteve italiane dhe anasjelltas, me lehtësimin e masave të pandemisë ka nisur të rikthehet gradualisht drejt normalitetit.

Sipas të dhënave të Autoritetit Portual Durrës gjatë periudhës janar-qershor 2021 janë regjistruar 362 lundrime vajtje-ardhje, ose 91 lundrime më shumë se sa në 5-mujorin 2020, çka dëshmon për një rikthim gradual të normalitetit në këtë sektor.

Numri i udhëtarëve që kanë lundruar me tragete gjatë muajve të pandemisë së këtij viti ka shënuar një rritje graduale të lehtë, ndërsa vetëm në muajin në maj statistikat dëshmojnë për mbi 33 mijë udhëtarë me tragete që kanë zgjedhur transportin detar për të hyrë apo dalë nga/drejt vendit tonë.

Nga të dhënat që paraqet sektori i Statistikave, mësohet se kjo shifër është afro 6 herë më e lartë sesa ajo e majit të vitit paraardhës, kur lundrimet e udhëtarëve me tragete u kufizuan thuajse plotësisht për shkak të masave të marra ndaj COVID-19.

Gjatë majit 2020 lundruan me tragetet e linjës Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona e kthim vetëm 5600 udhëtarë – mësohet nga statistikat.

Që nga fillimi i këtij viti tragetet janë shfrytëzuar nga rreth 141 mijë udhëtarë, ose 34 për qind më shumë sesa në 5-mujorin janar-maj 2020.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.