Plotësimi i vakancave në sistemin e drejtësisë/ Bashkëpunim mes institucioneve për hartën e re të gjyqësorit

TIRANË, 10 qershor /ATSH – I. Vata/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se duhet bashkëpunim mes institucioneve për të përcaktuar hartën e re të gjyqësorit.

Në një intervistë televizive, Gjonaj ka vënë theksin te harta e re gjyqësore, ku sipas saj lidhet me plotësimin e vakancave në sistemin e drejtësisë, me plotësimin e vakancave në gjykata, por edhe me disa elementë të tjerë që kanë të bëjnë me transparencën.

Për hartën e re gjyqësore, Gjonaj tha se “kemi pasur bashkëpunim të frytshëm me të gjitha institucionet e reja të drejtësisë në kuadër të zbatimit të te gjitha proceseve dhe prioriteteve që janë të sistemit të ri, pra që vijnë për zbatim të reformës në Drejtësi dhe nuk besoj se është çështje pingpongu harta gjyqësore por është zgjidhja që mund t’i jepet një procesi të caktuar duke përfshirë edhe përcaktimin në hartën e re gjyqësore me konstruktivitet dhe me bashkëpunim midis institucioneve. Fakti që ligji përcaktoj që ministria dhe KLD vendosin hartën e re gjyqësore dhe më pas ministri i drejtësisë e propozon për t’u miratuar nga Këshilli i Ministrave do të thotë se duhet të ketë bashkëpunim midis dy institucioneve për organizimin e ri të sistemit të drejtësisë gjykata dhe prokurorisë”.

Ajo tha se “unë vlerësoi një pjesë të mirë të anëtarëve të KLGJ-së, jo vetëm për profesionalizmin por edhe për qasjen që kanë patur për proces të caktuar që lidhen me prioritete e Reformës në Drejtësi”.

“Kam pritur që KLGJ ta shohë në mënyrë më të hapur hartën e re gjyqësore nuk është vetëm çështje teknike që lidhet me plotësimin e vakancave në sistemin e drejtësisë,me plotësimin e vakancave në gjykata por edhe me disa element të tjerë që ka të bëjë me transparencë, llogaridhënie, por dhe në aksesin e qytetarëve në organet e drejtësisë. KLGJ ka sjellë një propozim pas një procesi të gjatë dhe të përbashkët, por Ministria e Drejtësisë ka çuar pikëpamjet dhe variantin e saj sa i përket këtij propozimi. 3 janë çështjet kryesore që kemi patur vërejtje ku e para lidhet me numrin e gjykatave, konsistimi i propozimit vetëm në një gjykatë apeli dhe funksioni i gjykatave në degë. Për këto arsye, unë besoj se edhe në vijimësinë me komunikimin që kemi patur me Këshillin e Lartë Gjyqësor do duhet ta zgjidhim në bashkëpunim në mënyrë që të përfundojë edhe ky proces i fundit që lidhet me hartëzimin dhe krijimin e hartës së re gjyqësore”, u shpreh Gjonaj.

Në lidhje me pyetjen se a duhet të ketë vetëm një Gjykatë Apeli, Gjonaj tha se “kemi kryer dhe një analizë që lidhet jo vetëm me ngarkesën e gjykatave të apelit, me numrin e vakancave të gjyqtarëve në sistemin gjyqësor po sërish në nivel apeli, por njëkohësisht me largësinë dhe infrastrukturën që duhet të ketë gjykata për të ofruar shërbimin siç duhet. Nuk kemi qenë dakord për të pasur një Gjykatë Apeli, pa përcaktuar qartësisht nëse duhet të ketë tre, duhet të ketë 6 apo duhet të ketë katër. Për të gjetur një dakordësi që në këtë fazë tranzitore në të cilën procesi i Vetingut është një proces kalimtar, ku vakancat në Gjykatën e Apelit do të duhen të plotësohen nga KLGJ, nuk mund të shkojë në një variant drastik i cili mund të sjell kosto në aksesin e qytetarëve në organet e drejtësisë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.