Përfituese e naftës falas për bujqësinë/ Familja në Shkodër punon tokën me më pak kosto


TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi ishte në Shkodër, aty ku Zamira Novaku dhe familja e saj punojnë me pasion e përkushtim mbi 10 hektarë serra dhe fushë të hapur, ku prodhojnë fruta dhe perime për tregun vendas.

Ekonomi u njoh nga afër me këtë investim të familjes Novaku, që së fundmi ka marrë edhe një ndihmë nga skema e mbështetjes me naftë falas për bujqësinë.

“Punon prej vitesh në sektorin e bujqësisë dhe është nga ato rastet kuptimplotë të dedikimit ndaj punës dhe tokës që administron”, u shpreh Ekonomi.

Ndërsa bashkëshorti i Zamirës tregoi se, gjatë sezonit punësojnë edhe fermerë të tjerë të zonës përreth.

“Ne kultivojmë në fermën tonë të gjitha llojet e perimeve, si speca, kungull, domate, karota, deri edhe luleshtrydhe, pjepër e shalqi. Vitet e fundit kemi blerë edhe mekanikë bujqësore, për punimin e tokës çka ndikon në rritjen e prodhimit”, tha ai.

Ai tha se është përfitues i skemës së mbështetjes për naftën falas për bujqësinë, që është një ndihmë e madhe, pasi siç u shpreh “po rris punimin e tokës me mekanikë bujqësore, duke reduktuar ndjeshëm kostot e prodhimit, e për pasojë duke ulur dhe çmimet për konsumatorin”.

Në skemën e mbështetjes së qeverisë për të dhënë naftë falas për fermerët, ka patur një numër rekord aplikimesh, 20561 fermerë në të gjithë vendin, të cilët kanë tashmë mundësinë të tërheqin sasinë e naftës falas, në çdo pikë karburanti pranë vendbanimit të tyre.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.