Panairi Ndërkombëtar i Kinës/ Marrëveshjet karantinore, eksportet shqiptare në tregun kinez

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Shqipëria ka përparuar marrëdhënien tregtare me Kinën në fushën e bujqësisë me marrëveshjen karantinore për eksportin e mjaltit, bulmetit, bimëve medicinale, të cilat i kanë hapur rrugën prodhuesve vendas që të tregtojnë në Kinë.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, bën të ditur se, ndoqi ceremoninë virtuale të çeljes së Panairit të Dytë Ndërkombëtar të Kinës për Tregtimin e Mallrave të Konsumit të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore organizuar nga Qeveria Popullore e Kinës dhe përfaqësues të Provincës Zhanjie, ku u ofrua dhe një panoramë e gjerë e ecurisë së tregtisë së vendeve të 17+1 me Kinën.

Krifca tha se, “dëshira e investuesve për të përçuar markën shqiptare në tregun kinez, jep sinjale të forta për të dëshmuar sa shumë potencial kemi për të ofruar”.

Bujqësia është një ndër fushat kryesore të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kinës, ku ndër të tjera spikat edhe ngritja e Qendrës së Inovacionit të Shkencës dhe Teknologjisë Bujqësore Kino-Shqiptare, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, dy vite më parë ku mund të kombinohet prodhimi me studimin e bujqësisë dhe konkretizohen arritjet shkencore me  rezultate konkrete, duke ngritur nivelin e bashkëpunimit bujqësor mes dy vendeve, në një stad të ri zhvillimi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.