Ndërtimi i portit tregtar në Porto Romano/ APD shpall tenderin për hartimin e projektit të detajuar

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Autoriteti Portual i Durrësit shpall tenderin për hartimin e projektit të detajuar teknik të Portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano.

Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit për hartimin e projektit është 1.1 miliardë lekë, ndërsa afati për dorëzimin e kërkesës për shprehje interesi është 9 korriku.

Porto Romano propozohet të profilizohet si port perëndimor qendror që lidh rrugët kombëtare të Korridorit VIII me perëndimin dhe korridorin Skandinavi-Mesdhe. Gjithashtu propozohet që Porto Romano të lidhet me infrastrukturën e përshtatshme rrugore dhe hekurudhore.

Porti i Durrësit do të kthehet në një port turistik, i cili do t’i hapë rrugë ndërtimit të marinave detare të përshtatura për jahte, një terminali modern pasagjerësh dhe ndërtesave të reja përgjatë tij, të cilat do të kenë qëllime tregtare dhe hotelerie.

Kompania e Emirateve të Bashkuara, Emar, synon investimin e një shume me vlerë 2 miliardë Euro për ngritjen e infrastrukturës së re të portit për qëllime turistike dhe ndërtimin e rezidencave moderne dhe hotelerisë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.