Ndalimi i gazetarëve në komisionet parlamentare/ Vokshi: Kuvendi të tërhiqet, vendim politik

TIRANË, 10 qershor /ATSH – I. Vata/ Deputetja e zgjedhur e PD-së, Albana Vokshi i ka kërkuar Kuvendit të tërhiqet nga ndalimi i gazetarëve në komisionet parlamentare.

Në reagimin e saj, Vokshi shprehet se “gazetarët e thanë fjalën e tyre. Kurajozë dhe me integritet, gazetarët e ngritën zërin kundër censurës së Parlamentit dhe kundër izolimit të tyre. Edhe BE e tha fjalën e vet kundër pengimit të gazetarëve për të raportuar lirshëm në Kuvendin e Shqipërisë”.

“Një falenderim edhe për qëndrimin e ambasadores së Francës pro lirisë së medias dhe kundër censures shtetërore. Tani i takon Kuvendit të Shqipërisë të tërhiqet. Vendimi i paligjshëm, antikushtetues dhe antidemokratik që pengon gazetarët të bëjnë punën e tyre në Kuvend duhet të zhbëhet. Ky është një vendim politik, i marrë nga Byroja e Kuvendit, e cila drejtohet nga Gramoz Ruçi dhe jo nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Si i tillë, në vend të justifikimeve, Gramoz Ruçi duhet të kërkojë ndjesë publikisht dhe të tërheqë pa vonesë vendimin e gabuar! Kufizimi i lirisë së medias në një vend që pritet të hapë negociatat me BE është po aq i papranueshëm sa vjedhja e votës”, tha Vokshi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.