Ministrja e Jashtme holandeze: Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë të ndodhë sa më shpejt

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Qeveria e Holandës thekson se Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian mund të ndodhë sa më shpejt që të arrihet marrëveshja mbi kornizën negociuese me Shqipërinë.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Holandës, Sigrid Kaag deklaroi sot në fjalën e saj para parlamentit holandez se, Shqipëria ka bërë përparim me reformat në temat prioritare dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Këshilli do të diskutojë gjendjen e punëve në lidhje me zgjerimin. Një numër shtetesh anëtare pritet të bëjnë presion sërish për konferencat e para ndërqeveritare (IGC) me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në mënyrë që të zhvillohen së shpejti”, tha Kaag.

“Ende nuk ka ndonjë marrëveshje mbi draftkornizat negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për shkak të diskutimit të vazhdueshëm për kornizën në lidhje me Maqedoninë e Veriut, për të cilën një shtet anëtar nuk mund të pajtohet. Është ende e pasigurtë kur këto negociata do të përmbyllen dhe kur Këshilli do të jetë në gjendje të miratojë kornizat”, tha ajo.

“Për sa i përket kabinetit, IGC-ja e parë me Maqedoninë e Veriut mund të zhvillohet sa më shpejt që të ketë marrëveshje për kornizën e negociatave. Siç dihet, Këshilli vendosi në mars 2020 që IGC-ja e parë me Shqipërinë mund të zhvillohet nëse plotësohen kushtet e përcaktuara në përfundimet e këtij Këshilli”, theksoi Kaag.

Ajo nënvizoi se, “Raporti i progresit i Komisionit Europian, nga i cili Dhoma e Përfaqësuesve mori vlerësimin e kabinetit më 4 qershor, paraqet një pamje kryesisht pozitive. Kabineti mirëpret përparimin e fundit të Shqipërisë me reformat në temat prioritare dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndjekja e zhvillimeve tregon gjithashtu progres në këtë fushë, megjithëse numri i dënimeve kundër zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një shqetësim”.

“Qeveria miraton përfundimin e Komisionit se Shqipëria tashmë ka bërë përparim të mjaftueshëm në këto kushte. Ky përfundim ndahet edhe nga vendet anëtare që, ashtu si Holanda, ishin ende kritike një vit më parë. Si pjesë e qasjes së rreptë dhe të drejtë të qeverisë për zgjerimin e BE-së, Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë mund të ndodhë sa më shpejt që të arrihet marrëveshja mbi kornizën negociuese me Shqipërinë”, u shpreh ministrja Kaag. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.