Migracioni i paligjshëm/ Shqipëria me plan kontigjence për garantimin e të drejtave të njeriut

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Zv.ministri i Brendshëm, Andi Mahila mori pjesë në takimin ministerial të Procesit të Brdo-s që u mbajt në Slloveni, në datat 9-10 qershor, në të cilin u diskutuan çështjet e menaxhimit të flukseve të përziera migratore dhe hetimi i abuzimit seksual ndaj fëmijëve përmes internetit.
Në këtë takim morën pjesë ministrat e vendeve anëtare të kësaj nisme, nga Ballkani Perëndimor, drejtorët ekzekutivë të EASO, Frontex dhe Europol, ndërsa nga BE ishin Komisionerja për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson si dhe Ministri i Brendshëm i Portugalisë, Eduardo Cabrita.
Në lidhje me çështjet e migracionit, Mahila bëri një tablo të përmbledhur të masave kryesore të marra nga qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit.
Ai theksoi se “e vendosur në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe e rrethuar nga vende të BE-së, si Greqia (kufi tokësor) dhe Italia (kufi detar), Shqipëria është shndërruar automatikisht në një vend tranzit për flukset imigratore nga vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore në drejtim të vendeve kryesisht të Bashkimit Europian”.
“Ne kemi hartuar një plan kontigjence, i cili synon të garantojë respektimin e të drejtave të njeriut, të migrantëve dhe azilkërkuesve në Shqipëri, përmes përmirësimit të kapaciteteve për identifikimin, përpunimin dhe dhënien e shërbimeve për migrantët dhe azilkërkuesit në shkallë të gjerë. Krijimin e një mjedisi ku migrantët të ndjehen të sigurtë”, tha ai.
Sa i përket abuzimit seksual online të fëmijëve, Mahila tha se legjislacioni shqiptar përputhet me standardet ndërkombëtare edhe për sa i takon marrjes së masave si dhe ofrimit të sigurisë dhe mbrojtjes së fëmijëve në mjedisin digjital.
Ai vuri në dukje se në vitin 2020, u miratua Strategjia e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe plani i saj i veprimit 2021-2025, ku përcaktohen detyrimet e policisë së shtetit ndaj krimeve kibernetike në vend.
Një ndër objektivat e saj, tha Mahila, është reagimi i shpejtë dhe profesional për parandalimin, ndjekjen dhe hetimin e krimeve kibernetike ndaj fëmijëve në hapësirën kibernetike dhe rritja e bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e hetimit të krimit kibernetik me partnerët strategjikë.
Në këtë takim ministerial u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit mes vendeve të nismës dhe BE-së, duke zhvilluar me tej kapacitetet parandaluese dhe duke ndërtuar pista të reja komunikimi dhe shkëmbimi të informacionit.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.