Marrëveshje ndërkombëtare me SHBA-në dhe Gjermaninë/ Meta dekreton 4 ligje

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta dekretoi sot shpalljen e katër ligjeve, që ratifikojnë marrëveshje ndërkombëtare të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republikën Federale të Gjermanisë.

Konkretisht, Presidenti i Republikës dekretoi sot ligjin “Për ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Po ashtu, Meta dekretoi edhe ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2018, për projektin “Programi për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve (DKTI)””.

Një tjetër dekret i Presidentit ishte edhe ai për shpalljen e ligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2019 për projektin “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës (DKTI)””.

Me dekret të veçantë, Kreu i Shtetit shpalli edhe ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2018 për projektin “Programi i investimeve për zhvillim të integruar rajonal””.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.