Lituania interes për investime në tregun ballkanik/ Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Tregu ballkanik, specifikat e biznesit dhe mundësitë ishin në qendër të një diskutimi online që u zhvillua sot mes përfaqësuesve të bizneseve të Shqipërisë, Lituanisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe diplomatëve lituanezë në Greqi, Kroaci e Hungari.

“Gjatë këtij takimi u diskutua mbi mundësitë që ofrojnë vendet e Ballkanit, si Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut për bizneset lituaneze”, deklaroi kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa.

Po ashtu, në kuadër të këtyre bisedimeve u bë dhe nënshkrimi i memorandumit ndërmjet Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe Zejtarisë së Vilnius, Lituani.

“Nëpërmjet këtij memorandumi krijohet mundësia për bashkëpunime të frytshme ndërmjet Lituanisë dhe Shqipërisë nëpërmjet shkëmbimit të ofertave tregtare për bashkëpunime tregtare, shkëmbimin e listave të partnerëve të interesuar në bashkëpunime të ndërsjella, emërtimin e mallrave të eksportit dhe importit, si edhe krijimin e marrëdhënieve të drejtpërdrejta midis ndërmarrjeve në sektorë të ndryshëm”, tha Muçostepa.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.