“Ky muaji i Ballkanit Perëndimor”/ Várhelyi: BE, 30 miliardë euro investime. Të mbahet Konferenca Ndërqeveritare

TIRANË, 10 qershor /ATSH – I. Vata/ Komisioneri Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi deklaroi sot arritjen e një marrëveshje në BE për financimin e planit ekonomik dhe të investimeve, që pritet të mobilizojë 1/3 e PBB së rajonit.

Gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrin Edi Rama pas punimeve të samitit të krerëve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Pallatin e Brigadave në Tiranë, Varhelyi theksoi se “ky muaj, ky vit mund të jetë vërtetë muaj dhe viti i Ballkanit Perëndimor”.

Ai u shpreh se “jam veçanërisht i kënaqur që shoh që ndoshta ky do të jetë fillimi i fundit të krizës së pandemisë COVID-19 dhe ndoshta do të fillojmë t’i rikthehemi mënyrave të mëparshme të punës dhe të kryhen takime të tilla kaq të rëndësishme të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në formë fizike dhe që të kemi mundësi të shtyjmë përpara agjendën tonë të përbashkët në Ballkanin Perëndimor”.

“Kjo, pasi ky takim, ka të bëjë pikërisht për këtë agjendë të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, një agjendë e cila nuk krijohet vetëm nga Komisioni Europian, por nga vetë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe prandaj ky takim është kaq i rëndësishëm. Ne shikojmë në fakt një angazhim dhe përkushtim shumë të qartë të këtyre udhëheqësve, e kemi parë tashmë, u formëzua edhe vitin e shkuar për të krijuar tregun e përbashkët rajonal dhe ne sot kemi patur mundësin t’i hedhim sytë pas dhe të shikojmë se çfarë ecurie dhe çfarë përparimi kemi bërë. Nuk kemi arritur aty ku dëshirojmë që të arrijmë, por duhet të  arrimë atje, deri në korrik, kur të kemi në fakt edhe samitin e radhës”, tha Várhelyi.

Në vijim, Komisionari Várhelyi, shtoi se “shikojmë tashmë dhe rezultate e para që po ndryshojnë jetën e qytetarëve me lançimin e marrëveshjes pa tarifa roming në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

“Kjo vërtetë që është një arritje shumë e madhe dhe do të ketë ende gjera shumë të mëdha, si për shembull në të ardhme qytetarët të mund të lëvizin me letërnjoftime, larta identiteti, njohja e diplomave, heqja e lejes për punë. Për të gjitha këto gjëra së bashku do të bëjnë që bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor t’u ofrojë shumë gjera qytetarëve, përfshirë edhe tregtinë online ose atë që njihet si e-tregtia”, shtoi ai.

Komisioneri u ndal edhe te plani i BE-së për investime në rajonin tonë duke theksuar se “ne jemi të gatshëm që rikonfirmojmë angazhimin dhe përkushtimin tonë që e kemi vënë në tryezë me planin ekonomik dhe të investimeve, një plan që e kemi treguar që në vjeshtë që mobilizon 1/3 e PBB së rajonit, pra pothuajse 30 miliardë euro në formë investimesh që do të vijnë në rajon”.

“Por ky plan nuk ka për të funksionuar në rast se vetë rajoni nuk funksionon si një i tërë, në rast se ne nuk kemi një treg rajonal. Nuk ka kuptim ndërtimi i autostradave, në rast se të gjitha automjetet e mëdha do të ndalojnë në pika të ndryshme kufitare ndërmjet kufijve, çdo 100 km të themi. Nuk ka kuptim për të punuar më shumë këto hekurudha në rast se trenat do të hasnin vështirësi, ose rrugë të reja tregtie në rast se do të duhet të ketë 6 lloj të ndryshme certifikatash për mallrat, ose tatime të ndryshme për këto lloj mallrash”, shtoi ai.

Sipas tij, ky plan ekonomik dhe plan investimesh do të jap rezultate e veta në rast se vetë ky rajon punon për këtë treg rajonal, dhe ky është  dhe mjedisin të cilin do të funksionojë dhe ky treg rajonal.

Në vijim, Komisioneri Várhelyi  theksoi se “nga ana ime, lajmi që unë solla sot këtu për ju është se ne kemi një marrëveshje tashmë në Bashkimin Europian për financimin e këtij plani.

“Kemi arritur në javën e shkuar këtë marrëveshje me Këshillin dhe Parlamenti Europian për programin IPA 3 siç e quajmë ne pra është asistenca e fondeve të paraaderimit, i cili do të jetë edhe mekanizëm me në të së cilit do të financohet ky plan. Ne nga ana jonë jemi më se të gatshëm edhe me fondet që të fillojmë këtë plan ekonomik investimesh dhe ne duam që partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor të fillojnë sa më shpejt me këtë plan. Siç e shihni, ne po hyjmë në muajin qershor i cili është kritik për Ballkanin Perëndimor. Kemi shumë çështje mbi tryezë, ne, në BE. Ne dëshirojmë që të organizohen konferencat ndërqeveritare me Serbinë dhe Malin e Zi, që të vazhdojnë negociatat e anëtarësimin, duam që të organizohen dy konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe kemi këtë samit të sotshëm që të tregojmë rezultate për qytetarët e këtij rajoni. Pra ky muaj, ky vit mund të jetë vërtet muaj dhe viti i Ballkanit Perëndimor. Ne të gjithë duhet të tregojmë rezultat dhe arritje dhe ky është mesazhi që dëshiroja të sillja jo vetëm këtu por edhe për shtetet anëtare”, tha Komisioneri.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.