Kurti: Njohja e Kosovës nga Serbia do bënte që vendet të ecnin më shpejt drejt BE-së

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se nismat rajonale po ngecin për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Serbia.

Në një deklaratë për mediet në Tiranë, ku ai ishte pjesë e Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, Kurti theksoi se “nismat e ndryshme i bëjnë bashkë liderët e Ballkanit për të sjellë frymën e integrimit europian”.

“Theksova se përderisa 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në Europë, BE nuk është ende Europë, sepse nuk është e kompletuar, pa u anëtarësuar edhe 6 vendet tona.
Kosova e ka pozitën më të vështirë për shkak se nuk kemi ende liberalizim të vizave, ndërkohë Kosova është shteti më pro europian në Europë dhe jemi të vendosur për të zbatuar reformat tona të shumëfishta”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti vuri në dukje se nismat rajonale po ngecin për shkak se mungon njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia.

“Njohja do bënte që vendet të bashkëpunonin më shumë dhe të ecnin më shpejt drejt BE-së. Në këtë aspekt, nuk mjafton vetëm tregu i përbashkët, por nevojitet që edhe vlerat e BE-së të vendosen edhe brenda secilit shtet edhe në raportet mes shteteve. Këto vlera janë barazia, të drejtat e njeriut, të drejtat civile, luftimi i korrupsionit, ballafaqimi me të kaluarën investimet në ekonomi, drejtësia e të tjera”, shtoi Kurti.

Kurti tha se kishte dhënë propozimin e tij gjatë takimit se si mund të ecej para.

“Ky është modeli i marrëveshjes europiane të tregut të lirë, si EFTA, siç e kanë Liechtenstein, Norvegjia dhe Islanda, në mënyrë që ne të hyjmë si rajon i përbashkët në marrëdhënie me BE, sa i përket ekonomisë e tregtisë”, deklaroi Kurti.

Në këtë kuadër, shtoi ai, do të organizonim edhe samite të përbashkëta çdo tre vjet dhe në fund të kësaj dekade të ishim të gatshëm për integrim në BE.

“Gjëja më e rëndësishme është që Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi ti bashkëngjitet edhe Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina në njohjen e pranimin e Kosovës dhe në pranimin e realitetit aktual edhe të së vërtetës sa i përket asaj se çfarë ka ndodhur në vitet ’90”, deklaroi Kurti.

Në lidhje me pajtueshmërinë për minishengenin ballkanik, Kurti tha se “këtë e ka marrë përsipër Procesi i Berlinit që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut”.

“Pra ajo iniciativa që për bindjen time ka qenë më shumë e lidhur me Novisadin se sa me Minishengenin, sepse aty ka nisur, tashmë është një çështje që trajtohet nga Procesi i Berlinit me emër tjetër dhe me koordinata të tjera sidomos pas Samitit të Sofjes e që quhet Common Regional Market”, theksoi ai.

Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Kurt tha se “Kosova e Shqipëria nuk kanë nevojë për shumë mund që të jenë të koordinuara për shkak se nuk i kemi qëndrimet aq të ndryshme që të kemi nevojë të dialogojmë me njëra-tjetrën. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës nuk shoh të kenë dallime sa i përket politikës së jashtme”, u shpreh Kurti.

“Jo vetëm sa i përket politikës së jashtme, por edhe shumë fusha të tjera qeveria e Republikës së Kosovës ku unë jam kryeministër dhe republika e Shqipërisë me qeverinë e ardhshme që mbase në shtator do të formohet do të kenë komunikim shumë të dendur dhe strategji të përbashkët në shumë fusha jo vetëm atë të politikës së jashtme”, vijoi kryeministri i Kosovës.

Në lidhje me qëndrimet me homologen serbe, Kurti tha se “ka ekzistuar një lloj si polemike le të themi për shkak se nuk dëshiron që të pranonte se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran me rast unë theksova se Serbia do të duhet të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Milloshoviçit dhe nga trashëgimia e tij meqënëse nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të njihet pavarësia e Kosovës”.

“Ne duam të integrohemi në BE, në NATO. Njohja e pavarësisë s Kosovës nuk është e mirë vetëm për Kosovën jo më pak e vlefshme edhe për vetë Serbinë që në këtë mënyrë po e mban veten peng. E kam theksuar edhe më herët se para 13 vjetëve Kosova e ka shpallur pavarësinë nga Serbia është koha e fundit që Serbia ta shpallë pavarësinë nga Kosova”, tha ai.

Lidhur me qëndrimin për bashkëpunimin rajonal mes shteteve, Kurti vuri në dukje se, “propozimi im është që të kalohet nga Cefta në Sefta”.

“Unë besoj se kjo është zgjidhja e duhur duke ngritur ambiciet tona dhe bashkëpunimin rajonal e brenda me vlera të BE përfshirë edhe barazinë midis shteteve tona në këtë Ballkanin ende të paintegruar në Europë”, përfundoi Kurti. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.