Kriteret e licencimit në prag të sezonit të ri/ FSHF mbledh klubet e Kategorisë Superiore

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Sektori i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka organizuar ditën e sotme një mbledhje me klubet e Kategorisë Superiore ku i ka informuar në lidhje me mënyrat e plotësimit të kritereve në rregulloren e licencimit.

Duke nisur që nga ky edicion, rregullorja e licencimit të klubeve të Superiores është njehsuar me rregulloren e UEFA-s për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane.

Në këtë mbledhje mori pjesë edhe drejtuesi i sektorit të Përgatitjes Atletike në FSHF, Luiggi Febbrari, si dhe përgatitësit atletikë të ekipeve Kombëtare, Luca Laurenti dhe Iris Selimi, të cilët folën për rolin e rëndësishëm që ka kjo figurë në një ekip futbolli.

Komiteti Ekzekutiv në FSHF ka vendosur që duke nisur nga ky sezon, klubet e Kategorisë Superiore e kanë të detyrueshme prezencën e një përgatitësi atletik në stafet e tyre, ndërsa duhet theksuar fakti se Federata e Futbollit ka organizuar herë pas here kurse për këtë figurë kaq të rëndësishme në futboll, ku kanë folur emra të mëdhenj të futbollit ndërkombëtar.

Gjithashtu, Sektori i Licencimit u shpreh i gatshëm të ndihmojë klubet e Kategorisë Superiore që do të marrin pjesë në kompeticionet europiane, UEFA Champions League dhe UEFA Conference League. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.