Kontrolli teknik i mjeteve/ Në një javë 4300 mjete të testuara

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë informoi sot se në javën e parë të rifillimit të shërbimit të kontrollit teknik mbi 4,300 mjete janë testuar nga shërbimi i kontrollit teknik në DPSHTRR.

Në njoftimin e MIE thuhet se “tashmë, jemi operativ në të gjitha 15 qendrat e kontrollit teknik me sisteme e pajisje të reja informatike tërësisht të integruara”.

Nga 4300 mjete të testuara, 67.5% e testimeve janë automjete (4+1/8+1); 40% e testimeve janë kryer në DRSHTRR Tiranë, ndërsa 12.5% e mjeteve i janë nënshtruar ritestimit.

“Ekipi i ri që kombinon eksperiencë e rekrutime të reja, drejtues të mirënjohur profesionalisht e me integritet, strukturë të re qendrore për mbikqyrje e koordinim operacional, prezencë të re me veshjet e reja profesionale, mbështetur në fazën fillestare nga një komunikim i gjerë publik, informacione e udhëzime në website e DPSHTRR www.dpshtrr.gov.al, ka nisur punën pas një remonti e upgrade të linjave të kontrollit, brandim e format të ri certifikate kontrolli me kode leximi e elemente sigurie, online në kohë reale”, thekson MIE.

Po ashtu vijon puna për realizimin e investimeve të tjera fizike në infrastrukturat e objekteve, shesheve, zyrave të shërbimit.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) rifilloi më 31 maj shërbimin e kontrollit teknik të mjeteve rrugore, pas rehabilitimit të qendrave të Kontrollit Teknik, që ofrojnë garantimin e cilësisë dhe standardeve të shërbimit, si dhe uljen e kostove për qytetarët.

 

/m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.