Fotoalbumi i Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një fotoalbum nga punimet e Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Tiranë.

“Fotoalbumi i Samitit Ballkan – BE” e titullon kryeministri Rama ndërsa publikon foto nga pritja e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi.

Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor zhvilloi sot punimet në Tiranë, me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor përkatësisht; Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, si dhe të Komisionerit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi.

Të pranishëm në këtë Samit ishin presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, drejtori i Sekretariatit të CEFTA, Emir Djikic, zëvendësdrejtori i Sekretariatit të Përhershëm të organizatës së Traktatit të Komunitetit të Transportit, Ljuba Siljanoska. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.