Fiskalizimi/ Biznesi: Procesi i thjeshtë, përfitime në menaxhimin e faturave

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Që prej 1 janarit të këtij viti ka nisur faza e parë e zbatimit të reformës së Fiskalizimit për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike, ose ndryshe B2G, vetëm me faturë elektronike.

Sipas autoriteteve, reforma e Fiskalizimit ka pasur një ecuri pozitive me shifrat që janë rritur ndjeshëm muaj pas muaji. Deri më tani janë fiskalizuar mbi 4500 subjekte dhe janë lëshuar në total mbi 2 milionë fatura të fiskalizuara për transaksione me dhe pa para në dorë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj vizitoi sot një nga bizneset që është përfshirë në këtë fazë të parë të kësaj reforme.

Ajo bëri të ditur se Administrata Tatimore do të mbështes biznesin për të bërë të mundur zbatimin e procesit.

“Botime “Pegi” e ka nisur Fiskalizimin në fillim të këtij viti dhe për ta procesi ishte i thjeshtë dhe me përfitime në menaxhimin e faturave. Së bashku me Administratën Tatimore do të vijojmë të mbështesim biznesin me qëllim finalizimin dhe eliminimin e çdo problematike, duke shmangur penalizimet e mundshme”, tha ajo.

Gjatë kësaj vizite, ministrja Denaj u shpreh se Fiskalizimi është një mënyrë e re e të menaxhuarit të të dhënave tatimore i cili është në përmirësim të vazhdueshëm, me qëllim finalizimin me sukses të kësaj reforme të nisur.

Ministrja Denaj tha se jemi të angazhuar për rritjen e efektivitetit të këtij procesi duke e bërë atë sa më të thjeshtë për biznesin.

“Nga ana tjetër qasja jonë nuk është penalizuese, por mbështetëse me qëllim vendosjen e një metodologjie raportimi ndërmjet biznesit dhe Administratës Tatimore”, tha ajo.

Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, shprehu mbështetjen e plotë të Administratës Tatimore në lehtësimin e procedurave dhe të kostove kryesisht për biznesin e vogël, me qëllim informimin dhe nxitjen për fillimin e procesit të Fiskalizimit sa më parë.

Ajo gjithashtu risolli në vëmendje përdorimin e portalit Self Care për lëshimin e faturave, i cili ofrohet pa pagesë.

Për transaksionet Biznes-Biznes zbatimi i Fiskalizimit nis prej 1 korrikut dhe nga 1 shtatori për ato Biznes – Konsumator.

Procesi i Fiskalizimit pritet të ketë një efekt pozitiv në të gjithë ekonominë e vendit, por veçanërisht tek bizneset, pasi shkëmbimi i automatizuar i faturës elektronike shkurton kohë dhe është më i sigurt.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.