Finiq/ Menaxhimi i mbetjeve urbane, tryezë mbi perspektivat e projektit për ruajtjen e mjedisit

FINIQ, 10 qershor /ATSH/ Në kuadër të projektit “Menaxhimi i Integruar i Mbetjeve dhe Parandalimi i Mbetjeve Detare”, zbatuar në bashkinë e Finiqit në jug të vendit, me mbështetjen e GIZ gjerman Agjencia Joniane e Mjedisit, Medias dhe Informacionit (AJMMI) organizoi një tryezë mjedisore mbi ecurinë e deritanishme dhe perspektivat e projektit, me fokus, ruajtjen e mjedisit nga plastikat, me sloganin “Të përdorim sa më pak plastikë” (Low Plastic Zone Finiq).

Pjesëmarrës në këtë aktivitet përveç përfaqësuesve të AJMMI-t, ishin edhe kryebashkiaku i Finqit, Kristo Kiço dhe zyrtarë e specialistë të sektorit të shërbimeve në këtë bashki. Ishte i pranishëm edhe drejtuesi shqiptar i projektit të GIZ, Gavrosh Zela dhe ekspertja e GIZ, Yllka Sela.

Në tryezën e Finiqit, u theksua për publikun se përfitues të projektit janë komuniteti i banorëve, bashkia, bizneset, shkollat, etj.

Përfaqësuesi i GIZ-it, Gavrosh Zela theksoi se “prej një viti në territorin e Bashkisë Finiq, po implementohet me sukses projekti i GIZ-it, financuar nga qeveria gjermane me partner politik Ministrinë e Mjedisit si edhe në vende të tjera të projektit, Bosnjë dhe Mal i Zi”.

Zela pasi vlerësoi ecurinë e mirë deri tani të zbatimit të projektit dhe angazhimin konkret të bashkisë dhe partnerin lokal AJMMI, tha se, “projekti që po zbatohet në bashkinë Finiq dhe Lezhë ka fokuse kryesore nxitjen e bashkëpunimit rajonal, mes të tre vendeve që ndajnë detin Adriatik dhe Mesdheun; mbështetjen për trajnime, monitorime dhe marrëveshje rajonale; mbështetja për të siguruar instrumente ligjore për parandalimin e mbetjeve detare si dhe zbatimin e disa projekteve konkrete pilot për parandalimin e këtyre mbetjeve”.

Sipas kryetarit të bashkisë Kristo Kiço, “bashkia Finiq ka qenë me fat, si njëra nga dy bashkitë që përfituan nga ky program i GIZ me financim të qeverisë gjerman.  Ne përfituam 100 kontejnerë dhe makinë teknologjike pastrimi bashkëkohore. Ndotja vjen nga toka në det përmes lumenjve që përfundojnë në det”.

“Duke përshkuar territorin e njësisë sonë administrative, – tha Kiço, – bashkia ka menduar që të merren masa për minimizimin e ndotjeve dhe plastikës në një territor shumë të gjerë, me terren rural e malor, me 58 fshatra”.

“Po mendojmë zgjidhje e gjetje të reja për pastrimin me synim minimizimin e ndotjes së mjedisit”, – tha kreu i bashkisë Finiq, Kiço.

Kryebashkiaku falënderoi GIZ-in dhe drejtuesin shqiptar të tij për mbështetjen e Bashkisë Finiq me synim përmirësimin e  e mëtejshëm mjedisit ne një hapësirë territoriale me asete  të shumta dhe ambicie për zhvillime ekonomike e turistike

Sipas ekspertes së GIZ, Yllka Sela, idea “Përdor më pak plastikë” (Low Plastic Zone) lindi dy vite më parë si nismë e aktiviteteve të një komponenti e cila mori spunto nga vendimi i Komisionit Europian  kur të gjitha vendet e BE-s brenda një  periudhe pesë vjeçare do të duhet dalëngadalë të mendojnë sesi të heqin dorë nga plastikat një përdorimshe.

Drejtuesit i AJMMI-t, Shkëlqim Hajno vuri në dukje se “megjithë kushtet dhe kufizimet e imponuara nga pandemia globale, bashkëpunimi ka vijuar pa ndërprerje me bashkinë e Finiqit dhe faktorë e aktorë ndërgjegjësues në terren si shkollat, biznese, etj., me synimin “Të përdorim sa më pak plastikë””.

Pjesë përbërëse e aktivitetit në pikën turistike të Karahaxhit (Finiq) ishte edhe promovimi i një info-fotoekspozite nga AJMMI-t me aspekte të zhvillimeve dhe aksioneve të projektit të GIZ në Finiq si dhe një ekspozitë me artikuj artistikë realizuar me materiale plastike të riciklueshme, me vlera përdorimi dhe zbukurimi të mjediseve familjare, etj. AJMMI planifikon që këto ekspozita të qarkullojnë në mjedise publike si në shkolla Finiq, Livadhja dhe Mesopotam, etj., për transmetimin tek nxënësit dhe publiku i gjerë i eksperiencave për një qasje miqësore ndaj mjedisit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.