Facebook rihap zyrat, por zgjat edhe punën nga shtëpia

SAN FRANÇISKO, 10 qershor /ATSH-AFP/ – Facebook njoftoi sot se punonjësit e tij do të kenë mundësi të punojnë nga shtëpitë e tyre për një kohë të gjatë, përfshirë këtu edhe jashtë vendit, një vendim në kundërshtim me atë të fqinjit të tij Apple, që kërkon të rikthejë personelin në Cupertino.

”Duke nisur nga 15 qershori, punonjësit e Facebook që mund të përmbushin punën e tyre në distancë mund të kërkojnë të vazhdojnë punën nga shtëpia”, theksoi gjiganti i rrjeteve sociale.

“Ne mendojmë se mënyra jonë se si punojmë ka më shumë rëndësi sesa vendi ku ndodhemi”, theksoi një zëdhënës.

“Ne dëshirojmë të jemi vendi ku njerëzit mund të japin më të mirën e tyre duke garantuar një eksperiencë homogjene për të gjithë punonjësit tanë, kudo qofshin”, shtoi ai.

Firmat e Silicon Valley, ndër të parat në SHBA mbyllën zyrat e tyre në fillim të pandemisë, janë në zemër të diskutimeve për kushtet e reja të punës.

Që prej vitit të kaluar, Twitter, për shembull, u ofroi punonjësve mundësinë për të punuar nga shtëpia për një kohë të pacaktuar.

CEO i Facebook Mark Zuckerberg vlerësoi se gjysma e fuqisë punëtore të platformës mund të punonte në distancë brenda dhjetë vjetësh.

Falë progresit në luftën kundër përhapjes së COVID-19 dhe fushatave të vaksinimit, platforma synon zyrat 50% të hapura në SHBA deri në fillim të shtatorit dhe 100% në Tetor./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.