Dinamika në zhvillim e ekonomisë dhe sezonit turistik/ Kreditë me probleme zbritën me 0.4 %

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Dinamika në zhvillim e ekonomisë dhe pritshmëritë e larta nga sezoni turistik, kanë krijuar pritshmëri optimiste për Bankën Qendrore, që cilësia e portofolit të kredisë nuk do të ketë pasoja shqetësuese gjatë muajve në vazhdim.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, raporti i kredive me probleme u ul me 0,4 % në muajin prill të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas BSH-së, në fund të muajit prill ky tregues zbriti në 7.88 %, nga 7.96 % që kishte qenë në fund të muajit mars.

Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se në fund të muajit prill raporti i kredive me probleme për individët ishte në nivelin 5.47 %, ndërkohë që në mars të vitit të kaluar, në kohën e shpërthimit të pandemisë, kishte qenë 5.21 %.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2021, bankat dhanë  21.7 miliardë lekë kredi, me një rritje prej 42 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kredia për individët po mbështetet sidomos nga një kërkesë mjaft e lartë për të investuar në pasuri të paluajtshme.

Ndërsa normat e ulëta të interesit dhe gatishmëria e bankave për të financuar në këtë segment ka nxitur individët të marrin hua për të investuar kryesisht në banesa dhe sipërmarrje të reja biznesi. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.