BM – Biden: Moska do të përballet me përgjigje të fortë nëse përfshihet në aktivitete të dëmshme

LONDËR, 10 qershor /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Joe Biden paralajmëroi homologun e tij rus, Vladimir Putin se Moska do të përballet me përgjigje të fortë nëse përfshihet në aktivitete të dëmshme.

Biden iu adresua personelit të Forcave Ajrore Amerikane dhe familjeve të tyre në bazën ushtarake RAF Mildenhall në Suffolk, BM, në vizitën e tij të parë jashtë vendit si president për të marrë pjesë në samitin e G7-s.

Ai tha se SHBA-ja do të bashkëpunojë me Europën për të kapërcyer problemet e vështira dhe çështjet që janë më të rëndësishme për të ardhmen e tyre.

Duke theksuar se do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin si pjesë e kontakteve të tij, Biden nuk zbuloi ndonjë të dhënë mbi përmbajtjen e takimit të tyre.

Ai nënvizoi se SHBA-ja nuk do tensione me Rusinë, por përkundrazi dëshiron marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme.

Biden tha se planifikon t’i thotë homologut të tij rus se shkelja e sovranitetit të demokracisë në SHBA, Europë dhe vende të tjera do të ketë pasoja.

Presidenti amerikan më 10 qershor do të takohet me kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe mbretëreshën Elizabeth II më 13 qershor përpara se të shkojë në Bruksel.

Më 14 qershor do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s në Bruksel, ku do të takohet me homologun e tij turk Recep Tayyip Erdogan.

Biden po ashtu do të marrë pjesë në samitin SHBA-BE më 15 qershor në Bruksel dhe do të takohet me presidentin rus, Putin në Gjenevë, Zvicër më 16 qershor./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.