Shkarkimi i Metës/ Presidenca: Zero shqetësim nga vendimi antikushtetues dhe qesharak

TIRANË, 9 qershor/ ATSH/ Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, reagoi sot pas vendimit të Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit.
“Zero shqetësim nga vendimi antikushtetues dhe qesharak i landfillit parlamentar monist, që do të hyjë si rast studimor në historinë botërore të parlamentarizmit, se si një Kuvend pa opozitë, që edhe pse është shkarkuar me votë nga populli, voton për shkarkimin e një institucioni tjetër”, tha Blushi.
“Asnjë surprizë nga tregtari i kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës, partnerët dhe vasalët e oligarkëve, mafia e inceneratorëve, grabitësit e votave, parave dhe të pronave të shqiptarëve, përfshi edhe torollakët e dobishëm, që nuk bënë gjë tjetër sot, veçse plotësuan edhe hapin e fundit të krimit të rëndë zgjedhor të 25 prillit”, tha ai.
Të paktën, vijoi Blushi, “veç pensionit të përjetshëm, i siguruat edhe për këtë vit një palë pushime qyl. Bravo ju qoftë, që nuk dolët pa gjë nga kjo shëmti”.
Blushi tha se “Presidenti i Republikës Ilir Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhëtarëve, bashkëpunëtorëve dhe tutorëve të tyre, që punojnë prej vitesh kundër vendit tonë, shqiptarëve dhe interesit kombëtar”.
Ai drejtoi një ftesë të sinqertë edhe për kolegët gazetarë: “Merruni me gjëra serioze, zbardhjen, hetimin e plotë dhe dënimin e krimeve zgjedhore”.
/m.m/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.