Rama ndan pamjet/ Ritme të larta pune në bajpasin e Vlorës

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Në bajpasin e Vlorës, një prej veprave më spektakolare të infrastrukturës kombëtare, po punohet me ritme të larta për hapjen në mënyrë provizore më 15 korrik, duke i shërbyer sezonit turistik.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky aks i rëndësishëm, që po ndërtohet me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje përgjatë bajpasit të Vlorës, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Bajpasi i Vlorës me një gjatësi prej 29 kilometrash, ka 5 ura, si dhe 15 rrethrrotullime të cilat do ndihmojnë lehtësimin e trafikut në këtë aks rrugor.

Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.

Vepra është financim i BERZH, BEI dhe BE-së.

Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me impaktin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës. Ajo nis nga Rrethrrotullimi, në fund të autostradës Levan-Vlorë.

Në çdo 1.5 kilometra të kësaj rruge është parashikuar vendpushim për automjetet.

Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit europian.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.