Fermerët, ambicie për të zgjeruar eksportet “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Fermerët shqiptarë gjithnjë e më tepër po shtojnë prodhimet e tyre me ambicien për të rritur eksportet e zgjeruar praninë e tyre në tregjet ndërkombëtare.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi e shoqëruar nga zv.ministri Dhimo Kote vizituan një ndër pionierët e pikave të grumbullimit të fruta-perimeve në vend, “Pula Comerc”,  e cila vijon pa ndalur eksportin e prodhimeve bujqësore shqiptare, me ambicien për të zgjeruar edhe më tej hartën e tregjeve ndërkombëtare.

Përfaqësuesi i kompanisë shprehet se është ndër fermerët e parë që ka nisur eksportin e produkteve bujqësore në tregjet rajonale por edhe më tej në ato europiane.

Kapaciteti grumbullues është mbi 10 mijë tonë në vit, dhe eksporton rreth 600 trajlera. Ai bashkëpunon me rreth 700 fermerë të zonës.

Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, rreth 20 %. Në Shqipëri në vitin 2013 punoheshin afro 125 mijë ha tokë, ndërsa sot punohen 250 mijë ha tokë.

Falë politikave mbështetëse të qeverisë eksportet e produkteve bujqësore janë katërfishuar.

Eksportet bujqësore, në total janë rritur nga rreth 100 milionë dollarë në fund të vitit 2014 në 400 milionë dollarë në fund të vitit 2020, ndërsa parashikohet të shkojnë në mbi 1 miliard në katër vitet e ardhshme. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.