Kushi, takim me rektorë në Budapest/ Bashkëpunim me universitetet më prestigjioze europiane për Arsimin e Lartë

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë vijon thellimin e bashkëpunimit me universitetet më prestigjioze europiane.

Në këtë kuadër gjatë vizitës në Budapest, Hungari, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi u takua me prof. András Lánczi, rektor i Corvinus University, si dhe prof. Béla Merkely, rektor i Semmelweis University.

Kushi e cilësoi një takim shumë të frytshëm, ku janë shkëmbyer ide dhe përvoja me qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e cilësisë në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vendin tonë.

“Me Hungarinë kemi një bashkëpunim shumë të mirë dhe të hershëm dypalësh në fushën e arsimit. Në shkurt të këtij viti nënshkruam në Tiranë me ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó një marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të programit hungarez të bursave për vitet 2021-2024”, thekson Kushi.

Ministrja Kushi nënvizon se puna intensive do të vazhdojë për të konkretizuar marrëdhëniet mes dy vendeve në projekte të reja me interes të ndërsjellë.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.