GREQI – Mitarachi: Turqia një vend i sigurt për disa azilkërkues

ATHINË, 7 qershor /ATSH-ANA-AFP/ – Turqia konsiderohet një vend i sigurt për azilkërkuesit nga Siria, Afganistani, Pakistani, Bangladeshi dhe Somalia, sipas një vendimi të përbashkët nga Ministria e Jashtme dhe Ministria e Migracionit dhe Azilit.

Në një deklaratë, ministri i Migracionit dhe Azilit, Notis Mitarachi tha se “karakterizimi i Turqisë si vend i tretë i sigurt është një hap i rëndësishëm për trajtimin e flukseve të migrantëve pa dokumenta dhe kundër veprimeve kriminale të trafikantëve”.

“Ata nuk janë në rrezik për shkak të fesë, kombësisë, mendimit të tyre politik ose anëtarësimit në një grup shoqëror dhe mund të kërkojnë azil në Turqi sesa në Greqi”, vazhdoi Mitarachi në një njoftim për shtyp.

Sipas tij, “ky do të jetë një hap i rëndësishëm për të zvogëluar flukset e paligjshme të migrimit”.

Sipas marrëveshjes BE-Turqi, të nënshkruar në 2016, Ankaraja do të pranonte refugjatët sirianë të kthyer nga Athina pas një rishikimi të supozuar për të përcaktuar nëse ata do të ishin të sigurt në Turqi apo jo./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.