Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore/ Ekonomi: Siguria e ushqimit, rol jetësor në zvogëlimin e sëmundjeve

TIRANË, 7 qershor /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi bëri të ditur se “Ushqim i sigurt sot, për një të nesërme të shëndetshme” është tematika e këtij viti në kuadër të “Ditës Botërore të Sigurisë Ushqimore”.

Çdo 7 qershor, theksoi Ekonomi, i vihet fokusi sigurisë së ushqimit, si një përgjegjësi e përbashkët midis qeverisë, prodhuesve dhe konsumatorëve.

Të gjithë kanë një rol për të kryer, sepse siguria ushqimore është një proces kompleks që fillon në fermë dhe përfundon me konsumatorin.

“Siguria e ushqimit shpëton jetë. Ajo nuk është vetëm një komponent thelbësor për sigurinë ushqimore, por gjithashtu luan një rol jetësor në zvogëlimin e sëmundjeve që vijnë nga ushqimi”- u shpreh ministrja.

Çdo vit, 600 milionë njerëz sëmuren si rezultat i rreth 200 llojeve të ndryshme të sëmundjeve që vijnë nga ushqimi. Barra e një sëmundjeje të tillë bie më së shumti mbi të varfrit dhe mbi të rinjtë. Për më tepër, sëmundjet që vijnë nga ushqimi janë përgjegjëse për 420 000 vdekje të parandalueshme çdo vit.

Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore është një mënyrë e rëndësishme për të ndërgjegjësuar njerëzit për çështjet e sigurisë ushqimore; për të demonstruar se si të parandalojmë sëmundjen përmes sigurisë ushqimore; për të diskutuar qasje bashkëpunuese për përmirësimin e sigurisë ushqimore në të gjithë sektorët; për të promovuar zgjidhje dhe mënyra për të qenë më të sigurt në ushqim.

Konsumi dhe prodhimi i ushqimit të sigurt kanë përfitime të menjëhershme dhe afatgjata për njerëzit, planetin dhe ekonominë. Disponueshmëria e ushqimit të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë mund të mbështetet në të ardhmen duke përqafuar inovacione dixhitale, duke avancuar zgjidhje shkencore si dhe duke respektuar njohuritë tradicionale që i kanë rezistuar kohës.

“Sistemet tona ushqimore duhet të prodhojnë ushqim të mjaftueshëm të sigurt për të gjithë. Njohja e lidhjeve sistematike midis shëndetit të njerëzve, kafshëve, bimëve, mjedisit dhe ekonomisë do të na ndihmojë të plotësojmë nevojat e së ardhmes. Veprimet lokale të bazuara në zgjidhje të barabarta, shpesh të reja, dhe bashkëpunim të forcuar multisektorial janë thelbësore për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG)” tha Ekonomi.

Duke u ndalur në siguria e ushqimit në kohën e COVID-19, Ekonomi theksoi se, “ndërsa COVID-19 nuk është transmetuar nga ushqimi, pandemia ka mprehur fokusin në çështjet që lidhen me sigurinë ushqimore, të tilla si higjiena, rezistenca antimikrobike, sëmundjet zoonotike, ndryshimi i klimës, mashtrimi i ushqimit dhe përfitimet e mundshme të dixhitalizimit të sistemeve ushqimore”.

Mesazhet që përçohen në këtë ditë të shënuar kanë në fokus: Sigurohu që është i sigurtë – Qeveria siguron ushqim të sigurtë dhe të ushqyeshëm për të gjithë; Rriteni të sigurtë – Bujqësia dhe prodhuesit ushqimorë është e nevojshme të adoptojnë praktika të mira; Mbajeni të sigurtë – Operatorët e biznesit duhet të sigurohen që ushqimi është i sigurtë; Hani të sigurtë – Të gjithë konsumatorët kanë të drejtën e ushqimit të sigurtë dhe të shëndetshëm; Bashkohuni për sigurinë – Siguria ushqimore është një përgjegjësi e përbashkët.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.