Presidenti i FIFA-s uron ekipin e Teutës për titullin kampion

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe nëpërmjet tij edhe skuadrës së “Teutës”, me rastin e shpalljes kampione e Shqipërisë, për edicionin 2020-2021.

Në letrën e tij, kreu i qeverisë së futbollit ndërkombëtar shprehet se ky titull për ekipin e “Teutës” vjen si rezultat i një pune të palodhur, pasionit dhe përkushtimit, ndërsa inkurajon skuadrën të vazhdojë të punojë me të njëjtën vendosmëri.

Presidenti Infantino, në emër të komunitetit ndërkombëtar të futbollit falenderon Presidentin e FSHF-së për kontributin që ka dhënë në zhvillimin dhe prosperitetin e futbollit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon e botë.

“Më lejoni të uroj ekipin e ‘Teutës’ për kurorëzimin si kampione e Shqipërisë për edicionin 2020-2021. Ky titull vjen pa dyshim si rezultat i punës së palodhur, pasionit dhe përkushtimit dhe çdokush në klub duhet të ndihet krenar për këtë arritje të rëndësishme. Do t’ju isha mirënjohës nëse do t’ia shprehnit urimet e mia çdokujt që ka qenë i përfshirë, të cilët i inkurajoj të vazhdojnë të punojnë me shpirtin e skuadrës, pasion dhe vendosmëri. Në emër të komunitetit ndërkombëtar të futbollit, përfitoj nga rasti për t’ju falenderuar juve dhe Federatën tuaj për kontributin tuaj në zhvillimin dhe prosperitetin e futbollit në Shqipëri, rajonin tuaj dhe në botë”, shkruan presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino në letrën që i ka dërguar, presidentit Duka.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.