Rindërtimi/ Shkolla “Vaçe Zela” në Tiranë po merr formë ditë pas dite, kushte më të mira për 1500 nxënës

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Rreth 1500 fëmijë të shkollës “Vaçe Zela” në Tiranë do të kenë kushte më të mira, falë ndërtimit nga e para të saj.

Kjo shkollë është pjesë e programit për 17 institucione të reja arsimore me standardet më të larta në kryeqytet.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga ndërtimi i kësaj shkolle, e cila po merr formë ditë pas dite.

“Mirëmëngjes dhe me shkollën e re “Vaçe Zela” në kryeqytet, një tjetër shëmbëlltyrë e bindjes se Shqipëria është e ardhmja jonë, e cila po merr formë ditë pas dite, për të pritur 1500 fëmijë, ju uroj një ditë të mbarë”, – tha Rama.
Shkolla do të ketë të gjitha ambientet e nevojshme akademike (klasat mësimore, duke përfshirë laboratorët e fizikës, kimisë, biologjisë, informatikës etj.), palestër me ambientet ndihmëse të saj, hapësirat administrative, hapësirat shoqërore, etj.
Për të përballuar ndryshimet klimaterike, godina do të pajiset me sistem të ngrohjes qendrore. Një kujdes i veçantë i është kushtuar edhe sistemimit të mjediseve të jashtme, me terrene sportive, gjelbërim dhe ndriçim të jashtëm.
/k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.