Kukës, aksion për pastrimin e hapësirave publike në lagjet e qytetit

TIRANË, 2 qershor /ATSH – I. Vata/ Bashkia e Kukësit vazhdon aksionin për pastrimin e hapësirave publike në lagjet 4, 5, 6 në qytetin e Kukësit.

Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici, i cili ka ndjekur nga afër aksionin e policisë bashkiake për lirimin e hapësirave publike në këto lagje.

“Lirimi i hapësirave të përbashkëta i hap rrugë projektit për transformimin modern dhe bashkëkohor të lagjeve që janë zemra  e Kukësit”, tha ai.

Gjici porositi punonjësit e bashkisë që të pastrojnë të gjithë hapësirat publike dhe t’ua kthejnë ato qytetarëve duke i shndërruar në lulishte dhe kënde lojërash për fëmijët.

“Të gjithë ata që e kanë të legalizuar ndërtesën do të shpronësohen nga bashkia Kukës”, tha ai.

Po ashtu, Gjici porositi punonjësit e bashkisë se duhen të hiqen të gjitha depozita anësore të pallateve, sepse ka nisur investimi në ujësjellës dhe ato janë një rrezik për qytetarët.

Sipas tij, hapësirat e pastruara do të jenë të gjitha me rrugica të shtruara me dekoracion, pemë dhe lule në të gjitha sheshet e liruar dhe stola që t’u shërbejnë qytetarëve.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.