BERLIN – Gjysma e gjermanëve duan t’i mbajnë maskat edhe pas pandemisë

BERLIN, 2 qershor /ATSH-DPA/ – Sipas një sondazhi, gati gjysma e gjermanëve dëshirojnë të vazhdojnë të mbajnë maska ​​për të mbrojtur veten nga sëmundjet, edhe pas pandemisë së koronavirusit.

Nga afërsisht 5 000 persona të intervistuar nga instituti kërkimor ”Civey” për llogari të gazetës ”Augsburger Allgemeine”, 44,7% e qytetarëve ishin në favor të vazhdimit të mbajtjes së maskave, ndërsa 41,9% thanë se do të preferonin të hiqnin mbulesat e gojës dhe hundës.

Masat e frenimit të koronavirusit të tilla si mbajtja e një maske në fytyrë, mbajtja e distancës nga të tjerët dhe larja e shpeshtë e duarve kanë parë një ulje të ndjeshme të sëmundjeve të tjera.

Rënia ishte veçanërisht e dukshme në sëmundjet e transmetueshme.

Gripi sezonal është zhdukur pothuajse plotësisht përgjatë viteve 2020-2021.

Edhe në fillim të vitit 2020, sezoni i gripit pa një fund më të hershëm se zakonisht, i cili iu atribua masave të koronavirusit.

”Mosha duket se luan një rol në vendosjen nëse njerëzit duan të vazhdojnë të mbajnë maska ​​pas pandemisë, me 54,1% të njerëzve mbi 65 vjeç në favor”, sipas studimit. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.