Nafta falas për bujqësinë/ Ekonomi: Fermerët punojnë tokën me kosto më të ulët


TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi zhvilloi një takim me fermerë të zonës së Kolonjës për të biseduar nga afër me ta mbi çështje të punës së tyre të përditshme, skemën e naftës që po e shfrytëzojnë çdo ditë dhe problematika të tjera të cilat janë në fokusin e zgjidhjeve nga pushteti lokal.

Gjatë takimit me njërin për fermerëve të zonës që merrej me kultivim e mollëve, Ekonomi u interesua për ecurinë e prodhimit dhe tregtimin e tyre.

“Ne punojmë familjarisht në fermën tonë. Jemi të gjithë, të angazhuar me punë këtu. Kultivojmë mollët starkinge, gold, fuxhi dhe arrijmë të marrim një prodhim deri në 600 kv mollë për një hektar të mbjellë”, tha fermeri, teksa shtoi se për shitjen e prodhimit është lidhur me një tregtar nga Fushë-Kruja, që vjen e merr prodhimin rregullisht.

“Ky vit ishte shumë i mbarë dhe patëm një prodhim të kënaqshëm e më shumë të ardhura në familjen tonë”, tha fermeri.

Ministrja u shpreh se këtë vit një lehtësi tjetër për fermerët është edhe ulja e kostove të prodhimit përmes skemës së mbështetjes së naftës falas për bujqësinë. Ekonomi u informua se fermerët në këtë zonë kanë aplikuar dhe e kanë përfituar naftë falas për punimin e tokës me mekanikë bujqësore.

“E përdorëm 100 % naftën falas që na dha qeveria për punimin e tokës. Ishte ndihmë për ne, pasi punuam tokën me mekanikë bujqësore me kosto të ulët”, i tha një fermer tjetër ministres.

Ekonomi vuri në dukje se, “ne punuam shumë për ta ngritur skemën e naftës falas për bujqësinë, që fermerët ta kenë sa më të lehtë për të aplikuar dhe sa më transparente sasinë e naftës që përfitojnë fermerët mbi bazën e sipërfaqes së tokës që do të punojnë”.

Gjatë bashkëbisedimit me një fermer tjetër të kësaj zone, që kishte 30 vite që punonte në bujqësi në tokën e tij dhe shprehu shqetësim për ndërtim e një rruge të re në këtë këtë zonë, apo edhe zgjerimin e investimeve në sistemet e vaditjes, Ekonomi e informoi se, “projektet për investime të reja në kanale vaditëse dhe kulluese si dhe rehabilitimi i atyre ekzistente do të vazhdojë, si faktor shumë të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë”.

Ekonomi tha se, “investime të reja janë projektuar edhe për infrastrukturën rrugore rurale,  që mbështesin fermerët e zonës për daljen më shpejt në treg me prodhimet e tyre, por edhe lëvizjen e mjeteve bujqësore”.

“Programi IPARD III ka një komponent specifik për ndërtimin e rrugëve rurale dhe ai është i lidhur jo vetëm me projektin e 100 fshatrave, por edhe më zonat me potencial bujqësor, që do të ketë një impakt tjetër shumë pozitiv në mbështetjen e fermerëve dhe lehtësimin e punës së atyre që merren me bujqësi”, u shpreh ministrja Ekonomi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.