Komisioni i Sigurisë miratoi projektligjin për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e lëndëve plasëse për përdorim civil

TIRANË, 1 qershor /ATSH – I. Vata/ Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e lëndëve plasëse për përdorim civil”.

Në drejtimin e kryetares Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare  në mbledhjen e sotme zhvilluar online, mori në shqyrtim nen për nen projektligjin “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e lëndëve plasëse për përdorim civil”.

Më herët komisioni kishte miratuar në parim projektligjin në fjalë. I ftuar në komision gjatë shqyrtimi të neneve ishte Petro Koçi zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe përfaqësues nga Ministria e Brendshme.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve si dhe duke marrë parasysh sugjerimet e Komisionit të Integrimit si komision për dhënie mendimi, anëtarët miratuan projektligjin “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e lëndëve plasëse për përdorim civil”.

Felaj bëri me dije se, projektligji do të futet në seancë plenare për shqyrtim, së bashku me projektligjin “Për lëndët piroteknike” si një paketë tërësore e dy ligjeve të reja, në një fushë që i takon sigurisë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.