FOKUS – KE rekomandon lehtësimin e udhëtimeve brenda bllokut europian

BRUKSEL, 1 qershor /ATSH-AA/ – Komisioni Europian u ka kërkuar vendeve anëtare të Bashkimit Europian (BE) të koordinohen dhe nga mesi i muajit qershor të heqin kufizimet e udhëtimit për qytetarët e tyre.

Udhëzimet e propozuara nga organi ekzekutiv i BE-së synojnë të lehtësojnë udhëtimet midis vendeve të BE-së para se të hyjë në fuqi më 1 korrik rregullorja e re e bllokut për certifikatat COVID-19.

Nëse qeveritë e BE-së miratojnë rekomandimet, rregullat e reja, të cilat mundësojnë udhëtimet e lira për personat plotësisht të vaksinuar ose të shëruar, mund të zbatohen që nga mesi i muajit qershor.

Sipas udhëzimeve, personat plotësisht të vaksinuar mund të udhëtojnë në një vend tjetër të BE-së pa ndonjë kufizim të mëtejshëm, të paktën 14 ditë pasi të kenë marrë dozën e dytë të vaksinës së miratuar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA).

Ata që janë shëruar nga COVID-19 po ashtu mund të udhëtojnë në BE pa ndonjë test për virusin ose detyrim për karantinë.

Për ato që nuk kanë marrë vaksinën COVID-19 apo nuk kanë qenë të infektuar më parë nga virusi, Komisioni Europian këshilloi që t’u kërkohet një test PCR jo më të vjetër se 72 orë apo test të shpejt të antigjenit jo më të vjetër se 48 orë.

Organi ekzekutiv i BE-së po ashtu u rekomandoi vendeve të BE-së të mos kërkojnë teste PCR nga fëmijët nën moshën 6-vjeçare.

Në të njëjtën kohë, Komisioni Europian u kërkoi vendeve anëtare, të cilat tashmë janë përgatitur, të përdorin sistemin e BE-së të certifikatave COVID-19, në mënyrë që të sigurojnë tranzicionin e qetë. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.