1 Qershori/ Kuvendi “hap dyert” online për fëmijët

TIRANË, 1 qershor /ATSH – I. Vata/ Me rastin e 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve, Kuvendi i Shqipërisë organizoi Ditën e Dyerve të Hapura për Fëmijët. Dyert e Hapura u  zhvilluan në formën e një takimi online.

Në takim morën pjesë deputetë, anëtarë të Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” dhe ishin ftuar edhe një grup fëmijësh nga shkollat 9-vjeçare të Tiranës. Takimin e përshëndeti zëvendëskryetarja e Kuvendit dhe zëvendëskryetarja e Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, Vasilika Hysi, dhe anëtarja e këtij grupi, Klodiana Spahiu.

Nga ana e saj, Vasilika Hysi u uroi fëmijëve mirëseardhjen virtuale në Kuvendin e Shqipërisë dhe i njohu ata me disa nga problematikat për fëmijët që janë trajtuar në aktet ligjore të miratuara nga Kuvendit gjatë sesioneve parlamentare të viteve 2020 dhe 2021.

Ndërsa, Klodiana Spahiu informoi mbi disa nga veprimtaritë e Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” në mbështetje të fëmijëve, me theks të veçantë përballimin e nevojave të tyre gjatë pandemisë.

Po ashtu, Hysi dhe Spahiu iu përgjigjën pyetjeve të fëmijëve dhe dëgjuan sugjerimet e tyre për adresimin më të mirë të problemeve e nevojave të zhvillimit të fëmijëve në aktet ligjore të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë.

Gjatë këtij takimi fëmijët e ftuar u njohën me disa problematika të fëmijëve dhe probleme shoqërore të lidhura me nevojat e tyre, diskutuan me deputetë të grupit “Miqtë e Fëmijëve” për plotësimin sa më të mirë të këtyre nevojave, si dhe të vizituan virtualisht ambientet e Kuvendit. Fëmijët u informuan edhe mbi disa aspekte të veprimtarisë parlamentare, nëpërmjet një video të shkurtër ilustruese. Në fund të takimit fëmijët u drejtuan pyetje deputetëve dhe punonjësve të shërbimeve të Kuvendit, pjesëmarrës në takim. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.