Zaptimi i hapësirës publike/ Procedohen 3 shtetas në Vlorë

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë procedoi sot në gjendje të lirë 3 shtetas, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, si dhe arrestoi në flagrancë 1 shtetas për vepën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, në vijim të punës evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që zaptojnë hapsirën publike, proceduan në gjendje të lirë shtetasin: A. K., 45 vjeç, pasi është konstatuar se kishte zënë hapësirën publike në vendin e quajtur “Havana e re”, Dhërmi, duke vendosur një skelet hekuri, pa lejen e organeve përkatëse.

Policia e Vlorës procedoi edhe shtetasin A. B., 44 vjeç, pasi është konstatuar se kishte zënë hapësirën publike në vendin e quajtur “Perivoll”, Dhërmi, duke vendosur një strukturë prej druri, pa lejen e organeve përkatëse, si dhe shtetasin E. K., 43 vjeç, pasi është konstatuar se kishte zënë hapësirën publike (trotuar), në shëtitoren e fshatit Dhërmi.

Po ashtu, specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin I. B., 31 vjeç, banues në Vlorë, pasi mbrëmjen e djeshme duke drejtuar automjetin, në lagjen “1 Maji”, ka aksidentuar këmbësorin shtetasin e mitur me inicale R. B., 12 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Traumës Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.