Masat e marra dhe lehtësimi i barrës fiskale, rriti investimet në bujqësi me infrastrukturë moderne

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Investimet në bujqësi po shtohen dita ditës dhe po krijojnë një infrastrukturë moderne, e cila i shërben më së miri çdo fermeri në zonën e Divjakës dhe më gjerë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi vizitoi sot një ndër fermat e fidanishteve në Divjakë.

““Alba Agro” një sipërmarrje e 3 vëllezërve Gjeka të cilët po zgjerojnë aktivitetin e tyre me një tjetër fidanishte, të teknologjisë më të fundit. Investimet në bujqësi po shtohen dita ditës dhe po krijojnë një infrastrukturë moderne e cila i shërben më së miri çdo fermeri në zonën e Divjakës dhe më gjerë”, u shpreh ajo.

Kjo fermë nisi me 2 dylym dhe vetëm në 5 vite sipërfaqja e saj është më shumë se dyfishuar.

“Sot kultivimi i fidanëve nuk mund të konsiderohet bujqësi, por industri, pasi kontrollohet dielli, uji, temperature, të gjithë parametrat. E kemi nisur me 2 dylym dhe sot kemi arritur në 5 dylym, të nxitur nga kërkesa në rritje e tregut. Arma jonë e fortë është cilësia dhe partneriteti me fermerin”, shprehet një ndër vëllezërit Gjeka.

Sipas tij, pjesën më të madhe të materialeve për ndërtimin e fidanishtes, ashtu si edhe farat janë të importuara kryesisht nga Greqia dhe Italia.

Ata vlerësojnë edhe masat e ndërmarra nga qeveria për lehtësimin e barrës fiskale.

“Falenderojmë qeverinë pasi na ka përjashtuar nga TVSH për materialet e importuara dhe  është një ndihmë shumë e madhe. Jemi në vitin e 5-të dhe çdo vit na ka gjetur duke shtuar investimet”, thotë ai.

Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, rreth 20 %. Në Shqipëri në vitin 2013 punoheshin afro 125 mijë ha tokë, ndërsa sot punohen 250 mijë ha tokë.

Eksportet bujqësore, në total janë rritur nga rreth 100 milionë dollarë në 400 milionë dollarë, ndërsa parashikohet të shkojnë në mbi 1 miliard në katër vitet e ardhshme.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.