Kërkesat në rritje të tregut, shtohen serrat me fidanë

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Serrat me fidanë sipas standardeve më bashkëkohorë po shtohen vazhdimisht, duke parë edhe kërkesat në rritje të tregut.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi si dhe kryetari i bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi vizituan sot serrën e një prej fermerëve të kësaj zone.

“Bashkë me Kryetarin e Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi, vizituam Josif Gorenë, i cili është kthyer tashmë në një pikë referimi për tregun vendas dhe jo vetëm. Serrat e tij me fidanë sipas standardeve më bashkëkohorë, po shtohen vazhdimisht duke parë edhe kërkesat në rritje të tregut”, tha ministrja.

Përfaqësuesi i kompanisë, Gorea, bëri të ditur se fidanët jo vetëm tregtohen në vend, por edhe eksportohen kryesisht në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi.

Po ashtu, tha ai, mbi 50 % e sallatave që tregtohen në vend janë prej fidanëve të serrës së tij.

Kompania punëson deri në 70 persona përgjatë sezonit veror. Sipërfaqja e serrës është 3.4 hektarë dhe sipas Goresë, për momentin mbulon pothuajse komplet nevojat e tregut.

Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, rreth 20 %. Në Shqipëri në vitin 2013 punoheshin afro 125 mijë ha tokë, ndërsa sot punohen 250 mijë ha tokë.

Eksportet bujqësore, në total janë rritur nga rreth 100 milionë dollarë në 400 milionë dollarë, ndërsa parashikohet të shkojnë në mbi 1 miliard në katër vitet e ardhshme. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.